in

Kreditë. 12% kërkohen nga emigrantët. Rumunë, shqiptarë e marokenë në krye

Vitin e shkuar emigrantët kanë kërkuar 7% të kredive imobiliare, 11% të “huave me qëllim” dhe 15% të “huave personale”. Ndër të huaj, shqiptarët renditen të dytët si kërkues kredish për shtëpi dhe huash me qëllim

Romë, 3 prill 2013 – Kriza ekonomike në Itali ndihet edhe nga emigrantët, të cilëve u ka sjellë tkurrjen e konsumit dhe rënien e prirjes së investimit në “tullë”. E megjithatë kërkesa për kredi nga kjo fetë e popullsisë ka përfaqësuar gjatë vitit 2012 një kuotë prej 12% të të gjitha kërkesave të paraqitura nga familjet bankavve dhe shoqërive financiare.

E thotë “Raporti i parë mbi kërkesën e kredisë nga qytetarët joitalianë”, i realizuar nga CRIF (“qendra e rreziqeve financiare”, bankë të dhënash që mbledh e kontrollon të gjithë ata që kërkojnë hua nga bankat e institutet financiare) mbi bazën e kërkesasve të kredive të regjistruara në sistemin e vet të informacioneve të huadhënies gjatë vitit të shkuar.

Sipas CRIF, gjatë vitit 2012 në Itali kanë kërkuar kredi qytetarë nga 209 vende të ndryshme të botës.

Sipas ekspertëve, mundësia e marrjes së kredisë është “shumë e rëndësishme për procesin e përfshirjes shoqqërore të të huajve që jetojnë në Itali, që e kanë të domosdoshme për planifikimin e konsumeve të familjes dhe të zhvillimit të aktiviteteve private”. Për më tepër “një pjesë e mirë e qytetarëve jo italianë që jetojnë në Itali janë me moshë 22-44 vjeç, pra janë në ato klasë-mosha ku përqendrohet nevoja për konsum dhe investime për kohë të mesme e të gjatë, që lidhen ngushtë me një projekt jete”.

Në bazë të shifrave, gjatë vitit 2012 bie në sy se mëse një e pesta e kërkesave të financimeve të paraqitura nga shtetas të huaj është bërë nga rumunët (mbi gjysmë milioni kërkesa, ore 22% e të gjithave). Të dytët por shumë larg nga të parët renditen shqiptarët që kanë paraqitur 6,1% të kërkesave për kredi e më pas marokenët (5,7%). Tre vendet e para përputhen edhe me renditjen e komuniteteve të huaja sipas numrit të personave të pranishëm në Itali, gjë që nuk vërehet me kinezët, për shembull, që edhe pse të katërt për numër rezidentësh renditen në vend të 27-të për kërkesa kredish, gjë që tregon edhe njëherë prirjen e tyre të theksuar për forma alternative finacimi në gjirin e familjes apo të miqësive brend komunitetit.

Kërkesat e kredive sipas shumave

Raporti i CRIF mundëson edhe analizimin e shumave të kërkuara nga shtetasit e huaj. Ata që kërkojnë mesatarisht shumat më të larta janë shtetas komunitarë si holandezët (mesatarisht 58.387 mijë euro), spanjollët (37.854) apo austriakët (36.138). për t’iu kthyer komuniteteve që kanë paraqitur më shumë kërkesa kredie shohim se shqiptarët kërkojnë mesatarisht nga 11.638 euro, rumunët 8.682 euro ndërsa marokenët 6.680 euro.

Kreditë imobiliare

Gjatë vitit 2012, 7% e kërkesave për kredi imobiliare (për blerjen e shtëpisë) janë paraqitur nga të huajt: kryesisht nga rumunët 18% dhe shqiptarët 12%. Pas tyre renditen të tretët zviceranët, por vetëm me 6%.

Shumat mesatare më të mëdha si kredi imobiliare janë kërkuar nga gjeermanët (129.143 euro), zviceranët (126.610) dhe filipinët (124.659 euro.

Për sa u përket dy vendeve të para për numër kërkesash, kreditë imobiliare të kërkuara nga rumunët kanë qenë me shumë mesatare (116.656 euro) ndërsa ato të kërkuara nga shqiptarë 105.079 euro.

Kreditë personale

Gjatë vitit 2012, 15% e të gjitha kërkesave për hua personale janë paraqitur nga shtetas të huaj e në një të katërtën e rasteve ka qenë fjala për një rumun (24% e të gjitha kërkesave të paraqitura nga të huajt).

Për shumat mesatare të kërkuara në formën e huas personale, zviceranët renditen të parët 12.289 euro. Në këtë formë shqiptarët kërkojnë mesatarisht 8.492 euro, rumunët 8.515 euro, ndërsa marokenët 8.194 euro.

Kreditë me qëllim (për blerjen e një malli të caktuar, të makinës për shembull)

Kuota e kërkesave të kredive me qëllim të paraqitura nga të huajt gjatë vitit të shkuar ka qenë 11%. Edhe në këtë rast në vend të parë renditen rumunët me 24% të kërkesave, të ndjekur nga larg nga shqiptarët (7%) dhe marokenët (6%).

Për sa u përket shumave mesatare të kërkuara, të parët renditen zviceranët (4.877 euro) të ndjekur nga shqiptarët (4.494 euro), gjermanët (4.144 euro) dhe rumunët (3.415 euro). 

red. Shqiptari i Italisë

Papunësia në Itali 11,6%, sa mesatarja e eurozonës

LSI pranon ftesën e PS-së për koalicion parazgjedhor e tërhiqet nga qeveria