in

Lëvizja 5 yjet e Vladimir Kosturit mbërrin në Tiranë

Më 2 prill “Lëvizja 5 Yjet – Vladimir Kosturi” bën manifestimin e parë në Tiranë, që me thënë të vërtetën u ngjan pak mitingjeve të organizuara nga komiku italian Beppe Grillo

Romë, 4 prill 2013 – “Tsunami” i paralajmëruar i Vladimir Kosturit dhe e Lëvizjes së tij 5 Yjet mbërrin si fllad e lehtë në Tiranë.

I frymëzuar nga suksesi elektoral i Beppe Grillos, Vladimir Kosturi, emigrant prej vitesh në Itali, vendos të themelojë “Lëvizjen 5 yjet” për Shqipërinë. Hap një grup në Facebook, ku regjistron dhe regjistrohen deri më sot mbi 7 mijë vetë, më 10 mars formalizon themelimin e lëvizjes (natyrisht, filmon një pjesë të mirë të takimit dhe e vë në You tube) dhe paralajmëron zbritjen në Tiranë për në 2 prill. Dhe e bën, por nga pamjet e para, duket se është pritur ftohtë. Pak persona të interesuar e ndonjë fëmijë kureshtar duket në fotot e vëna në facebook. Ndoshta, në takimet e tjera të paralajmëruara për muajin prill (“gjatë muajit prill 2013, nëpër sheshet, kryqëzimet e rrugëve të Tiranës, do të bëhen dy takime në çdo ditë” lexohet në profilin e tij FB), edhe me ngrohjen e motit, rezultatet do të jenë më të mira.

Vladimir Kosturi jeton në Itali nga viti 1989, ka themeluar shoqatën Iliria, ndër të parat në Romë, dhe është shquar në vite për organizimin e protestave: njëherë për sanatore për të gjithë të parregulltit, për lejet e qëndrimit, njëherë kundër ligjit Bossi-Fini, njëherë kundër diskriminimit, apo edhe në mbrojtje të një prindi shqiptar të akuzuar për pedofili (dhe të shpallur i pafajshëm që në shkallën e parë të gjykimit), apo së fundi në krah të një studenteje shqiptare në Romë, e regjistruar në mënyrë të gabuar në La Sapienza.

Tani, me krijimin e “Lëvizjes 5 yjet – Vladimir Kosturi” kërkon “të çojë në shtëpi klasën politike shqiptare” dhe jep recetën me 20 pika për nxjerrjen e Shqipërisë nga errësira që shkojnë nga “ligji kundër korrupsionit”, “ligji mbi konfliktin e interesave”, “heqja e kontributit për partitë politike” e deri te “heqja e interesave mbi gjobat”.

Red. Shqiptari i Italisë

Milano. 8 mila nuovi posti di lavoro, anche per gli italiani, nelle imprese degli immigrati

CIE. Penalistët këmbëngulin: “Më keq se burgjet, duhen mbyllur”