in

Paditen 25 emigrantë. I kanë vjedhur INPS-it 200 mijë euro me pensione

Guardia di Finanza e Maceratës ka zbuluar e paditur 25 të huaj, kryesisht shqiptarë,  rezidentë në comuna të ndryshme që kishin gjetur një mënyrë për “të bërë para” në dëm të INPS-it duke marrë padrejtësisht pensione sociale në emër të prindërve të tyre që vetëm me dokumente ishin në Itali, praktikisht jetonin në vendlindje.

“Prej dy muajsh kemi mbajtur në vëzhgim personat, kryesisht shqiptarë, që edhe pse nuk punonin kalonin ditët e tyre në bar, duke luajtur me lojërat e fatit elektronike, konsumonin alkool e ngisnin makina jo të këqija” thonë nga Guardia di Finanza.

Të gjitha këto kanë shtyrë financierët të dyshojnë mbi prejardhjen e parave të këtyre individëve dhe kontrolle më të detajuara kanë nxjerrë në dritë që të gjithë ishin me prindër në ngarkim, që sipas dokumenteve duhet të jetonin në itali, por që në të vërtetë këtu kishin qëndruar pak kohë, sa mjafton për të nxjerrë dokumentet.

Financierët kanë vendosur të kontrollojnë më në thellësi e kanë nisur verifikimet për 50 persona që merrnin pension social nga INPS. Nga këta, gjysma, 25 persona, e merrnin padrejtësisht, në shkelje të kritereve ligjore, duke i vjedhur kështu INPS-it një shumë të përgjithshme prej 200 mijë eurosh.

Që të 25-të janë paditur për vjedhje me mashtrim të vazhdueshëm e në rrethana rënduese në dëm të shtetit. Emrat e atyre që merrnin padrejtësisht pensionin social i janë përcjellë INPS-it të Maceratës në mënyrë që të marrë masat për ndërprerjen e pensionit e kthimin mbrapsht të shumave të marra padrejtësisht.  

Mes të paditurve 5 janë rezidentë në Castelraimondo, 5 në Matelica, 5 në Gagliole, 4 në San Severino, 2 në Serrapetrona, 1 në Camerino, 1 në Fiuminata, 1 në Acquacanina dhe 1 në Ussita. Veç shqiptarëve janë edhe disa kubanë, një marokene dhe një indian.

Mes 25 përfituesve të pensionit social, 2 rezultuan të hequr nga listat e banorëve të komunës, 22 nuk kanë plotësuar kriterin e rezidencës efektive dhe të zakonshme në Itali, duke u kthyer për periudha të gjata apo përgjithmonë në atdhe dhe 1 ka përfituar pensionin pa plotësuar kushtin e rezidencës paraprake dhjetëvjeçare në Itali të parashikuar vitet e fundit nga ligji.  

Si funksiononte mashtrimi

Guardia di Finanza sqaron se shumë nga të paditurit kishin sjellë në Itali prindërit – në ndonjë rast të vetët e të bashkëshortes – me bashkimin familjar. Pasi bënin praktikën për marrjen e lejes së qëndrimit, shkonin me ta në INPS dhe kërkonin pensionin social. Hapnin një llogari rrjedhëse në emrin e birit dhe të prindit dhe i kërkonin INPS-it të derdhte në atë llogari shumën e pensionit. Nga ai moment prindi ishte i lirë të kthehej në atdhe, ndërsa nga INPS do të mbërrinte në llogari një shumë mujore prej rreth 500 eurosh. Situata të tilla duket se shkonin përpara prej vitit 2007, dhe dëmi i zbuluar për arkat e INPS-it arrin në 200 mijë euro.

“Duhet theksuar se në Itali janë rreth 30 mijë të huaj që marrin pensionin social (nga këta rreth një e treta janë shqiptarë) që përfitojnë rreth 50-60 milionë euro në vit, ndaj një hulumtim në të gjithë trerritorin italian është mëse i udhës e mund të sjellë rezultate të rëndësishme” deklarojnë nga Guardia di Finanza.

Në të vërtetë, kontrollet që deri më sot kanë qenë vetëm në shkallë lokale (të fundit në Terni, Fabriano, Pistoia, Cuneo), kanë nxjerrë gjithnjë në dritë situata të tilla.

Red. Shqiptari i Italisë

SEL: “Të hiqet vepra penale e klandestinitetit”. Propozim në Dhomën e deputetëve

Ancora un no per Monnalisa Ndoja: “Ma io sono italiana”