in

Pasaportat biometrike shqiptare. Nga viti 2015, të tjera e më të shtrenjta

Nga viti 2015 pasaportat e letërnjoftimet do të kenë elementë të rinj sigurie. Dhe do të kushtojnë më shtrenjtë

Ende pa u pajisur të gjithë me pasaportat biometrike e letërnjoftimet elektronike e mësojmë që edhe këto “u vjetërsuan” tashmë.

“Si letërnjoftimi elektronik dhe pasaporta biometrike janë absolutisht nga produktet më të mira që ekzistojnë sot për sot në hapësirën e Bashkimit Europian. Në njëfarë mënyre do të jetë krenari e ligjshme për emigrantët që të paraqesin për identifikimin e tyre dokumentet e identitetit të shtetit shqiptar, me një cilësi dhe siguri të admirueshme” thonte për Botën Shqiptare Fatmir Konja, zëdhënës i ministrisë së Punëve të Brendshme, në vitin 2009 kur nisi pajisja me dokumentet e reja.

Sot duket se edhe këto dokumente nuk do të arrijmë t’i përtërijmë: nga janari i vitit 2015, letërnjoftimet dhe pasaportat biometrike do të ndryshojnë dhe do të kushtojnë 25% më shtrenjtë se sot. Në Shqipëri, karta 1.500 lekë ndërsa pasaporta 7.500. Ia vlen të theksojmë “në Shqipëri”, sepse, të paktën pasaporta, nëse për të do të aplikohet nëpër konsullata, do të ketë çmim akoma më të lartë nga ç’e ka sot, 108 euro.

Lajmin e ndryshimit të dokumenteve e ka dhënë pak ditë më parë drejtoresha për dokumentet e identitetit në Ministrinë e Brendshme, Miranda Harizaj. Sipas saj, veç shenjave të gishtërinjve, dokumentet e reja do të përmbajnë edhe informacione për “njohjen biometrike të fytyrës”, ndaj për këtë arsye do të kushtojnë më shtrenjtë.

Dhe ashtu siç lavdëroheshin në 2009-tën, pasaportat e tanishme biometrike, nisin lavdërimet për modelin e ri: “Futja e një elementi të dytë biometrik në fillim të vitit 2015 do të rriste sigurinë e sistemit të prodhimit dhe do të minimizonte në zero mundësinë e falsifikimit.” shprehet Harizaj.

Pasaporta e re e vitit 2015 i bie të jetë e pesta në 25 vjet. Në janar 2012, kur shkruanim që pasaporta biometrike do të ishte e detyrueshme nga 1 marsi i po atij viti, pyesnim “A është e sigurt që kjo e tanishmja biometrike nuk do të zëvendësohen me të tjera më të sigurta?”. Mjaftoi një vit e pak muaj për të marrë përgjigje negative. E nëse këtë pyetje e shtrojmë sot, logjika na thotë që pasaportat mund të ndërrohen sërish: pse jo, një ditë mund të na thonë që po të kemi edhe kodin e DNA-së të shkruar në dokumentin e identifikimit, ky do të jetë akoma më i sigurt.

Ke. Bi.

Lexo edhe: Katër pasaporta në njëzet vjet

Timore pre-elettorale

Sanatoria. Për 90% të kërkesave të hedhura poshtë problemi qëndron në provën e pranisë