Dedikuar studentëve shqiptarë të diplomuar gjatë periudhës tetor 2012 – shtator 2013, brenda dhe jashtë vendit.
Deri më 28 shtator, studentët shqiptarë, në Shqipëri apo jashtë, mund të konkurrojnë për Çmimin për punë shkencore në çështje të lidhura me Bankën e Shqipërisë, sistemin bankar shqiptar dhe ekonominë shqiptare, në përgjithësi që prej vitit 2006 jepet nga Banka e Shqipërisë.
Për Çmimin e Guvernatorit mund të konkurrojnë studentë shqiptarë të diplomuar gjatë periudhës tetor 2012 – shtator 2013. Fituesit e tre çmimeve të para marrin një shumë në para prej: 250.000 lekë Çmimi i parë , 200.000 lekë Çmimi i dytë dhe 150.000 lekë Çmimi i tretë.
Rregullat për konkurrim
1. Në konkurrimin për Çmimin e Guvernatorit për Diplomën më të Mirë, mund të marrë pjesë çdo student i diplomuar gjatë periudhës tetor 2012 –shtator 2013, brenda apo jashtë vendit, në një nga çështjet e ekonomiksit monetar, stabilitetit financiar, integrimit ekonomik të Ballkanit në Evropë, historisë monetare dhe financiare të Shqipërisë, veprimtarisë e Bankës së Shqipërisë, sistemit bankar shqiptar dhe ekonomisë në përgjithësi.
2. Temat duhet të jenë të shkruara në gjuhën shqipe ose në atë angleze.
3. Afati i fundit i dorëzimit të temave është data 28 shtator 2013.
4. Studentët që dëshirojnë të aplikojnë për marrjen e Çmimit duhet të paraqesin në formë elektronike1 (pdf) në adresën e-mail public[at]bankofalbania.org dokumentet e mëposhtme : një letër ku shprehet interesimi i studentit për të konkurruar për Çmimin në fjalë; Curriculum Vitae; abstrakt dhe një përmbledhje të shkurtër të gjetjeve kryesore; emri i udhëheqësit të temës dhe universiteti/fakulteti përkatës; tema e diplomës.
5. Tema e dorëzuar duhet të plotësojë kriteret e një pune shkencore. Ajo mund të jetë në formën e një teme diplome, diplome pasuniversitare (master) apo në formën e një teze doktorature (PhD).
6. Për përzgjedhjen e temave fituese, ngrihet një komision i posaçëm vlerësimi shkencor, pranë Bankës së Shqipërisë. Në rast se njëri nga anëtarët e komisionit është edhe udhëheqës i një teme konkurruese, ky anëtar nuk mund të votojë për këtë temë. Komisioni vendos me mirëkuptim për kandidatët që propozohen për Çmimin. Vendimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë është përcaktues.