in

Alfano, Giovannini, Bonino e Kyenge. Ja kush do të qeverisë imigracionin në Itali

Ministritë kyç për të huajt në Itali janë Ministra e Brendshme, e Punës dhe ajo e Jashtme. E ministria e Integrimit? Varet nga kompetencat që do të arrijë të marrë

Romë, 29 prill 2013 – Fakti që ka një ministri Integrimi nuk duhet të na mashtrojë apo të na kënaqë. Imigracioni nuk do të qeveriset vetëm nga zyra e Cècile Kyenge. Madje, për të qenë realistë duhet thënë që janë të tjera ministri ato që do të ndikojnë më shumë mbi jetën e të huajve në Itali gjatë mandatit të Enrico Lettas si kryeministër.

Një rol shumë të rëndësishëm luan ministria e Brendshme. Merret me luftën ndaj imigracionit të paligjshëm (kontrolli i kufijve dhe i territorit, dëbimet, qendrat e identifikimit dhe të dëbimit), por edhe administrimin e imigracionit të rregullt: lëshimin dhe përtëritjen e lejeve të qëndrimit, sportelet unike të imigracionit, marrëveshjen e integrimit, testin për kartën e qëndrimit e kështu me radhë.

Në krye të ministrisë së Brendshme tani është Angelino Alfano, 43 vjeç, sekretar i Popullit të Lirive, që mban edhe postin e zëvendëskryeministrit. Ish ministër i Drejtësisë i qeverisë së fundit Berlusconi u dallua për të ashtuquajturin ‘lodo Alfano’ (ligji që pezullonte proceset gjyqësore për ata që mbajnë postet më të larta të Shtetit, i hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese), por edhe për reformimin e Kodit Antimafia dhe thjeshtëzimin e procesit civil.

Ministria e Punës përcakton hyrjet për punë nga jashtë, me pak fjalë, shifrat e dekreteve të flukseve, duke vlerësuar nevojat e familjeve dhe të ndërmarrjeve. Administron edhe listat e punonjësve të formuar profesionalisht në atdhe që kanë një rrugë preferenciale për në Itali dhe lidh marrëveshje dypalëshe për prurjen e krahut të punës. Ka edhe kompetenca të tjera që kanë të bëjnë me integrimin apo mikpritjen e të miturve të huaj të pashoqëruar.

Ministri i ri i Punës është një teknik, Enrico Giovannini, 56 vjeç. Statist ekonomik, është një nga të Urtët e thirrur një muaj më parë nga Presidenti i Republikës Giorgio Napolitano për përcaktimin e përparësive ekonomike e politike për nxjerrjen e Italisë nga kriza. Për vite në Organizatën për Kooperimin dhe Zhvillimin Ekonomik (OCSE) të Parisit, në vitin 2009 është bërë president i Institutit italian të Statistikave (ISTAT) dhe ka udhëhequr të gjithë hapat e Censimentit të fundit.

Ajo që do të administrojë marrëdhëniet e do të ngrejë urat me vendlindjet e imigrantëve është ministria e Jashtme. Rrjeti i saj i konsullatave në mbarë botën është porta e hyrjes në Itali, siç e di mirë kush duhet të kërkojë një vizë, ndërsa në vendet më të varfra, roli i ministrisë është i rëndësishëm edhe në projektet e shumta të kooperimit ndërkombëtar për zhvillimin.

Për të drejtuar ministrinë e Jashtme është thirrur Emma Bonino, 65 vjeç, eksponent i spikatur i Radikalëve Italianë, protagoniste e betejave civile si ato mbi abortin dhe divorcin, mbrojtëse e flaktë e të drejtave humane në të gjithë rruzullin. Ka qenë ministre për tregtinë ndërkombëtare dhe politikat evropiane , por edhe komisare evropiane për politikat e tutelës së konsumatorit. Emri i saj u lakua edhe gjatë votimit për zgjedhjen e presidentit të Republikës.

Çfarë mbetet për ministrin e Integrimit? Për ta kuptuar, duhet pritur disa javë , për të parë se sa hapësirë veprimi do të arrijë të fitojë 49-vjeçarja Cècile Kyenge, e mbi të gjitha për të kuptuar deri në ç’masë kolegët e saj do të heqin dorë nga kompetenca që për vite e vite me radhë u takonin dikastereve të tyre. Një sipërmarrje që i ndërlikoi jo pak jetën pararendësit të saj, Andrea Riccardi.

Duke konsideruar deklaratat e para mbi reformën e shtetësisë dhe revizionin e ligjit Bossi-Fini, është e qartë për të gjithë që Kyenge do të ushtrojë një veprimtari konstante në drejtimin e presionin mbi qeveri e parlament për përmirësimin e kushteve të jetesës së të huajve në Itali dhe të bijve të tyre.

E nëse dita e bukur duket që në mëngjes, duhet të jemi optimistë: që në ditët e saj të para si deputete ka nënshkruar një propozim për ius soli dhe ka ngritur një grup transversal parlamentar mbi imigracionin e strehimin politik.

Elvio Pasca

Aleksandër Gashi: “Muzika është shpresë, jo vetëm komunikim i shpejtë”

“Khalid for President!”{br}La storia di Chaouki diventa un film