in

Monumente e kulturës. Jo të gjitha mund të presin vizitorë

Nga Bazilika në Gjuricaj te kisha e Shën Nikollës, nga Muzeu Arkeologjik i Durrësit te Muzeu Etnografik i Elbasanit, nga Teatri Antik i Apolonisë te Burgu i Spaçit, janë të shumta monumentet e kulturës që këtë verë nuk do të hapen për publikun. Shkaku kryesor është rrënimi i këtyre monumenteve për shkak të mungesës së mirëmbajtjes

Monumentet e kulturës, pasqyrimi i historisë mijëravjeçare të popullit shqiptar, janë një tërheqje për turistët e huaj, por disa prej tyre ende vazhdojë të jenë në rrezik e të tjera nuk janë të vizitueshme.

Monumentet datojnë nga  prehistoria deri në shekullin e fundit. Numërohen mbi 2.400 objekte të një  game të gjerë, rreth 200 monumente kulti, 600 monumente antike e mesjetare (kala, rrënoja, site, ura, ujësjellës) dhe pjesa tjetër ndërtime popullore. Shumica e monumenteve gjenden në qytetet  Gjirokastër, Berat, Korçë, Shkodër. Sitet monumentale të Butrintit, Apollonisë, Durrësit, Voskopojës, Gjirokastrës, Beratit, etj., janë të njohura jo vetëm  kombëtarisht, por edhe në botë.

Ndodh shpesh që monumentet e kulturës në Shqipëri të vihen në qendër të vëmendjes vetëm kur marrin “goditjen” e fundit, kur gurët dëmtohen, dërrasat kalben apo monumentet bien pre e grabitësve. Dëmtimi i Kishës së Vlashit është një shembull për këtë.

Sipas MTKRS, qeveria në mandatin e saj të dytë, ka shtuar për trashëgiminë kulturore 290 milionë lekë më shumë, ndërkohë që rreth 1 milionë lekë të reja janë akorduar nga donatorët.

Nga ana tjetër, deputetët e opozitës kanë raportuan për dëmtime në shumë monumente kulture, mes të cilave Kisha e Mesopotamit e cila po rrënohet, Kisha e Shelcanit, ndërtimet pa leje në Kalanë e Tepelenës, Krujës, Mozaiku në Muzeun Historik Kombëtar, etj.

Edhe pse financimet e huaja ndihmojnë në shumë projekte të rëndësishme restauruese problem mbetet ende mirëmbajtja e këtyre monumenteve.

Bazilika në Gjuricaj të Ishmit

Për shkak të mos mirëmbajtjes, disa monumente arkeologjike në qarkun e Durrësit rrezikojnë të mos vizitohen këtë sezon turistik veror. Një prej tyre është bazilika 1.500 vjeçare në Gjuricaj të Ishmit, e cila po humbet identitetin e saj pas dëmtimeve që kanë bërë aty herë pas here hajdutët. Struktura murale është dëmtuar, kolonat e mermerta janë rrëzuar.

 Arkeologia Eda Çekrezi është shprehur se bazilika është ndërtuar mbi një sipërfaqe të pjerrët kodrinore dhe e përbërë nga tokë argjilore, duke ndikuar në rrëshqitjen e dherave sa herë që ka reshje shiu.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit

Edhe këtë vit, Muzeu Arkeologjik i Durrësit nuk do të jetë i hapur për turistët. Megjithëse ka kaluar një vit nga afati i mbylljes së rikonstruksionit, punimet ende nuk kanë përfunduar. Projekti parashikon ndërhyrje në fasadën e godinës trekatëshe, izolimin e tarracës, rehabilitimin e sheshit para godinës si dhe, çka është  më e rëndësishme, vënien në siguri të katit të dytë që prej vitesh nuk ka qenë i hapur për vizitorët.

Kisha e Mesopotamit

Kisha e Shën Nikollës në Mesopotam, një nga kishat ku thuren larmi kulturash, besimesh, arkitekturash, është e mbyllur prej gati 5 vjetësh. Specialistët italianë, që kanë bërë studimin e gjendjes, në raportin e tyre janë shprehur se firma ndërtuese ka bërë ndërhyrje të gabuara, duke shembur disa struktura mbajtëse të ndërtesës. Sipas këtij raporti, kisha rrezikon të shembet për shkak të ndërhyrjeve të gabuara në te edhe për shkak të veprimtarisë aktive sizmike në këtë zonë.

Muzeu Etnografik i Elbasanit

Ndërtesa dykatëshe, e shpallur monument kulture i kategorisë së parë dhe që ndodhet në qendër të Elbasanit, nuk është restauruar prej shumë vitesh. Përveç mureve, është çarë dhe çatia, çka bën që shirat të depërtojnë deri tek objektet qindra vjeçare.

Teatri Antik i Apolonisë

Teatri antik i Apolonisë është përmbytur dy herë nga shirat gjatë muajit dhjetor. Kjo ka sjellë rrëshqitje të dherave, duke dëmtuar kështu këtë monument kulture. Sipas drejtorit të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali, gërmimet e bëra nga ekspedita arkeologjike shqiptaro-gjermane në Apoloni duket se janë bërë shkaku kryesor i rrëshqitjes masive të dheut dhe përmbytjes së teatrit antik të parkut. Shkak, sipas tij, është mos marrja parasysh e burimit të hershëm të ujit nën dhe.

Burgu i Spaçit

Dëmtimet kanë ndodhur edhe në territorin e ish- Burgut të Spaçit, monument kulture i kategorisë së dytë. Edhe pse i planifikuar për t’u kthyer në muze ky monument është bërë objekt vjedhjeje, duke u marrë  hekuri për skrap. Prej vitit 2010 është ngritur grupi i punës nga MTKRS dhe është hartuar një projekt prej 25 milionë lekësh për restaurimin e kampit, por ende nuk ka diçka konkrete. (sipas ATSh-së)

‘Price of Travel’ rendit Sarandën të tretën mes plazheve low-cost të Europës

Reforma e shtetësisë: Lega mbledh firma kundër ‘Ius Soli’