in

Tragjedi në portin e Genovas. Shtatë të vdekur e persona të tjerë akoma në kërkim

Operacionet e kërkim shpëtimit vazhdojnë edhe sot për gjetjen e personave të zhdukur pas përplasjes gjatë orëve të natës të një anijeje kargo konteinerësh me një kullë kontrolli në portin e Genovas në Itali, një aksident që ka shkaktuar të paktën 7 të vdekur. Nesër ditë zie në qytet.

Romë, 8 maj 2013 – Ka shkuar në 7 numri i viktimave të gjetura e të identifikuara të aksidentit të ngjarë natën në portin e Genovas po ka edhe persona të tjerë që rezultojnë të humbur, por me kalimin e orëve pakësohen shpresat për gjetjen e tyre ende në jetë.

Pak para mesnate një anije kargo u përplas me një nga kullat e kontrollit në port dhe deri tani bilanci provizor ka arritur në shtatë të vdekur, katër të plagosur dhe dy të zhdukur, njoftojnë autoritetet lokale.

Viktimat janë roja bregdetare Daniele Fratantonio, 30 vjeç, ushtaraku Davide Morella, 33 vjeç, Michele Rabazza, pilot 41 vjeç, Sergio Basso 50 vjeç, punonjës i Rimorchiatori Riuniti, ish komandanti i portit të Lavagnas Marco De Candusso 35 vjeç, Giuseppe Tusa i Kapitanerisë së Genovas dhe Maurizio Potenza operator radio i pilotëve. Të humburit janë Gianni Jacoviello 35 vjeç i Kapitanerisë së portit të La Spezias, Francesco Cetrola 37 vjeç, ushtarak i Rojës Bregdetare. Të plagosurit – që kanë shpëtuar sepse kanë arritur të hidhen në ujë para se anija të prekë kullën – janë katër, që të gjithë jo në gjendje të rëndë.

Sipas autoriteteve të portit, anija kargo Jolly Nero, një gjigant i detit i gjatë 240 metra, gjatë një manovre për të dalë nga porti, në një çast kur duhej të shkonte përpara ka shkuar mbrapsht e është përplasur me forcë me bazamentin e kullës së kontrollit, një strukturë në çimento e lartë 54 metra, që është shembur  duke marrë me vete edhe dy ndërtesa të tjera. Anija është sekuestruar nga organet e drejtësisë ndërsa komandanti i saj hetohet për vrasje të shumë personave nga pakujdesia.

Në port ka mbërritur ministri i Transportit Maurizio Lupi, ndërsa kryebashkiaku i Genovas, Marco Doria, ka shpallur të enjten ditë zie për qytetin, për dy arsye, siç shpjegon ai, sepse “ka ndodhur në port, qendra pulsonte e qytetit dhe se aksidenti ka për viktima persona që ishin duke punuar”.

Shtetësia. Giovanardi: “Nëse qeveria ia lë në dorë parlamentit, reforma mund të bëhet”

Istituto Piepoli: Më 23 qershor fiton e majta me 49%. E djathta merr vetëm 40%