in

Punësimi i imigrantëve në Administratën Publike. Ligji i ri në Parlament

Projekti i “Ligjit europian 2013” u hap vendet e punës në shtet edhe shtetasve të huaj që kanë kartën e qëndrimit  dhe refugjatëve. Teksti, i firmosur nga qeveria Monti, ka nisur këto ditë rrugëtimin në parlament

Romë, 27 maj 2013 – Edhe të huajt me kartë qëndrimi apo refugjatët do të marrin pjesë në konkurset për punësimet në shtet. Nuk mund të bëhen ushtarakë apo gjyqtarë, që duhet të jenë patjetër italianë, por nuk mund t’u ndalohet të bëhen mësues, mjekë apo të punësuar në administratë shtetërore.

Pas një përpjekjeje të çuar dëm në legjislaturën e fundit, Italia provon sërish të heqë ndalimet mbi futjen e shtetasve të huaj në administratën publike. E kërkon prej kohësh edhe UNAR, por ato që nxisin më shumë të punohet në këtë drejtim janë procedurat paraprake të shkeljes të nisura nga Komisioni Europian.

Jo rastësisht risia është përfshirë në projektin e “Ligjit europian 2013”, përcjellë të mërkurën më 21 maj në komisionin e Politikave të BE-së të Senatit, ligj që shërben pikërisht për përshtatjen e ligjit italian normativave të Bashkimit europian. Është një tekst i shkruar nga qeveria e Montit, por që do të marrë rrugëtimin parlamentar edhe tani që kryeministër është Enrico Letta.

Çfarë thotë projekti? Mes të tjerave, modifikon edhe “Normat e përgjithshme mbi rregullat e punësimit në varësi të administratave publike” (dekreti legjislativ 165/2001), sipas të cilave, sot “shtetasit e vendeve anëtare të BE-së mund të punësohen pranë administratës publike me kusht që vendet e punës të mos sjellin ushtrimin (e drejtpërdrejtë apo të tërthortë) të pushteteve shtetërore, e thënë ndryshe, që nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesit kombëtar”.

Në projektin e “Ligjit europian 2013” kjo mundësi punësimi u shtrihet “familjarëve jo komunitarë të personave që kanë të drejtën e qëndrimit apo të drejtën e qëndrimit të përhershëm”. Por edhe “shtetasve jokomunitarë që kanë leje qëndrimi Ce për qëndrues afatgjatë (kartën e qëndrimit) apo që kanë statusin e refugjatit apo të mbrojtjes së përkohshme (protezione sussidiaria)”.

Nëse do të miratohet kështu siç është, do të kthehen në kujtime (të këqija) konkurset si ai për punësimin e mësuesve për shkollat italiane, gjithnjë të mbyllur për të huajt dhe që është shpallur diskriminues nga Gjykata. Por tani e ka në dorë Parlamenti, të shohim ç’do të dalë prej tij.

Elvio Pasca

Elezioni amare per Giancarlo Gentilini, lo sceriffo anti-immigrati

Muzeume falas edhe për bijtë e imigrantëve