in

Mësimi i Elhaidës

Është bukur kur fiton më i miri: e ndien që gjërat shkojnë në kahun e duhur, të paktën herë pas here. Të paktën në programet televizive.

Elhaida Dani 20-vjeçare shqiptare nga Shkodra, prej një viti në Formia, të enjten e shkuar fitoi The Voice of Italy, programin e zbulimit të talenteve të RAI2 të ndjekur nga një publik i gjerë.

Ishte The Voice of Italy dhe jo The Voice of Albania, e megjithatë Elhaida fitoi sepse ishte më e zonja. Jo më simpatikja (kështu ishte Veronica, biondja plot tatuazhe e Raffaellas), as më e bukura (i bukuri ishte Timothy Cavicchini, nga Mantova, me gjithë H e Y të emrit), as personazhi “me histori të fortë” siç ishte Silvia që dëshiron të ketë një fëmijë për ta rritur me shoqen e saj Lisa.

Elhaida, më e përmbajtura, ishte pikërisht konkurrentja me zërin më të bukur. Për më tepër ishte në garë në skuadrën e Cocciantes, më pak televizivi nga katër anëtarët e jurisë, ai që, më shumë se kushdo, ndihej i huaj në studio. Ajo nuk kishte as histori prekëse e të dëshpëruar si ajo e Ferdinand Berishës që në Itali erdhi me gomone kur ishte i vogël e që para disa vjetëve fitoi Grande Fratello.

Elhaida ka ndjekur konservatorin Prenkë Jakova në Shkodër, ka studiuar piano dhe ka fituar edicionin shqiptar të Star Academy e Top Fest 2012. Në Formia ka mbërritur një vit më parë, e zbuluar në një Festival nga diskografi Rocco Palazzo, që e ka regjistruar në produksionin e tij Roxil Music Art & Show.

Elhaida është thuajse një profesioniste. E, për inat të Italisë raciste që nuk do të integrojë të huajt, të enjten ishte më e votuara nga telespektatorët e The Voice.

Të dielën e shkuar, Festa e Republikës, kryebashkiaku i Firences Matteo Renzi u dha shtetësinë italiane tre senegalezëve të plagosur në batarenë e 13 dhjetorit 2011 në të cilën humbën jetën dy bashkatdhetarë, duke kërkuar që “të mos ndodhë më që një Balotellu që flet italisht me theks breshan të mos shkojë dot në Olimpiada sepse është i mitur e për këtë arsye nuk e ka të mundur të jetë shtetas italian”.

Renzi bën apel që të ndërhyhet sa më shpejt në të drejtën e shtetësisë së emigrantëve të lindur në Itali: “Nga Firence u drejtohemi me respekt parlamentit dhe autoriteteve qëndrore për t’i kërkuar që të aprovojë sa më shpejt ligjin mbi ius soli, sepse kush lind në Itali duhet të jetë shtetas italian”.

Natyrisht, Gasparri me shokë nxituan ta quajnë demagog dhe të papërgjegjshëm. Fakti është që shtetësia e të lindurve në Itali mbetet një temë komplekse mbi të cilën duhet logjikuar e duhen vënë rregulla, pa u trembur.

Çfarë e bën italian një italian? Është një reflektim i bukur, i dobishëm dhe i rëndësishëm që nuk duhet braktisur pas festimeve madhështore të vitit të shkuar për 150-vjetorin e Italisë. Italianët nuk janë racistë dhe, po t’u propozosh një ligj të drejtë, dinë ta vlerësojnë. Njësoj siç vlerësojnë një zë të bukur.

Daria Bignardi, La lezione di Elhaida (Vanityfair.it)

Lexo edhe:
Zëri i Italisë quhet Elhaida Dani
Elhaida Dani. The Voice of Italy è albanese

Rreh të shoqen me të bijën foshnje në krah. Arrestohet 32-vjeçari

Vendos të vrasë veten, por më parë çon vajzën në Polici