Rezultati i exit poll-it për fondacionin Civitas Albania, ndryshe nga ai i IPR Marketing, është: PD fiton me 42%, ndërsa PS me 40%.
Fondacioni Civitas e ka bërë exit poll në bashkëpunim me kompaninë amerikane të sondazheve, Anzalone Liszt Grove Research, e cila ka kryer sondazhe për fushatën e Presidentit Barack Obama në vitin 2008 dhe 2012, me asistencën e drejtpërdrejte të një prej ortakëve të kësaj kompanie, Jeffrey Liszt.
Në shkallë aleance, sipas Civitas Albania, Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim e udhëhequr nga Sali Berisha ka fituar 48% dhe Aleanca për Shqipërinë Europiane e drejtuar nga Edi Rama ka fituar 46%. Për Civitas Albania, marzhi i gabimit është jo më i madh se 1,2%.
Civitas Albania ka realizuar Exit Poll-in me Anzalone Liszt Research (ALR), një firmë e specializuar në hulumtime. Anzalone Liszt Grove Research, është kompania e dytë më e njohur në botë në fushën e sondazheve elektorale dhe exit poll-eve. ALR operon prej 20 vitesh dhe ka kryer exit poll-e në SHBA duke anketuar në 9 shtete për zgjedhjet e vitit 2008 dhe më pas për zgjedhjet e 2012. Fondacioni Civitas dhe Anzalone Liszt Grove Research sipas drejtuesve, ka kryer me mijëra intervista të shpërndara në 11 qarqe të vendit dhe tha se po evidenton rezultate në rang kombëtar.