in

“Shqipëria vend shenjtorësh”, risia e Bibliotekës kombëtare

Ekspozitë e Bibliotekës kombëtare, në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezë. Krahas 36 titujve mbi jetën e të Lumnuarës, edhe 59 tituj të tjerë nga fondi i arkivit të bibliotekës mbi shenjtorë shqiptarë në shekuj

Tiranë,25 gusht 2010 – “Shqipëria vend shenjtorësh”, titullohet ekspozita e konceptuar nga Biblioteka Kombëtare, që përmbledh 36 botime të autorëve shqiptarë e të huaj, mbi jetën e veprimtarinë në vite të bamirëses dhe humanistes shqiptare, Nënë Tereza.

Biblioteka Kombëtare në kuadër të vitit 2010, i shpallur vit jubile i Nënë Terezës, si dhe në 90-vjetorin e themelimit të këtij institucioni, krahas librave mbi Nënë Terezën, ka bashkëngjitur nga fondi i arkivit edhe 59 tituj të tjerë mbi shenjtorët shqiptarë ndër shekuj, të cilat shoqërojnë ekspozitën e çelur ditë më parë.

Ndër botimet që zënë vend në stendën hyrëse pranë sallës amerikane, gjendet edhe poetizimi i Visar Zhitit me titull “Nënë Tereza, mërmërimë shenjtoreje”, bibliografia e Nënë Terezës e përpiluar nga Liljana Verdho nën përkujdesjen e Muzeut Historik Kombëtar, apo librat “Matka Tereza” (Obrazy Zycia) nga Roger Royle dhe Gary Ëoods, “Majka Tepeзa” nga Jasmina Mironski, e deri te titujt në gjuhën frënge “Un chemin tout simple”, si dhe 2 përmbledhjet e Maks Velos me tituj të thjeshtë, ashtu si edhe vetë Nëna e gjithë botës.

Në brendësi të sallës, Biblioteka Kombëtare ka prezantuar botimet që bëjnë pjesë në fondin e veçantë të arkivit, duke përfshirë ekspozenë “ndërshekullore” të botimeve të hershme mbi shenjtorët shqiptarë, e deri te faktet historike shqiptare, siç vërehet edhe nga vepra e Luigi Ugolinit e vitit 1936 “Butrinti il mito d’Enea: gli scavi” (Butrinti miti i Eneas: Gërmimet).

Mes të tjerash bien në sy edhe shkrimet e Faik Konicës mbi Shën Nifonin, patriarkun e 134-t të Kostandinopojës me origjinë shqiptare, i cili bashkëpunoi ngushtë me Skënderbeun; botimet e hershme të “Shtypshkronjës së Zojës së Papërlyme” të vitit 1911; vëllimi mbi figurën e “Konstantinit të Madh nga Iliria” i autorit Michael Grant, përkthimet e teologut Shën Jeronimit “Vulgata. Versioni zyrtar i Kishës Katolike”, e deri te më të fundmet të vitit 2003: “Ikona bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri”.

Ekspozita “Shqipëria vend shenjtorësh”, do të qëndrojë e hapur për publikun shqiptar e të huaj deri më datë 30 gusht. (ATSh)

Lexo edhe: Nënë Tereza, veprimtari të ndryshme në 100-vjetorin e lindjes

Vatikani i dhuron AQShF-së filmime mbi Nënë Terezën

Rinas: Mbeten në tokë 190 pasagjerë të Alitalia-s