Karabinirët hiqen si punonjës të ndërmarrjes elektrike dhe i kontrollojnë shtëpinë. Gjejnë kokainë dhe marihuanë të mbjellë dhe të vënë për t’u tharë
Romë 7 korrik 2013 – Emiljano Shehaj, 21 vjeç, rezident në Romë por i strehuar përkohësisht te disa të afërm në Sant’Egidio të Teramos, është arrestuar dhe dënuar me proces të menjëhershëm për kultivim e shitje lëndësh narkotike.
Karabinierët, që prej ditësh kishin vërejtur lëvizjet e dyshimta të shqiptarit, hiqen si elektricistë e me justifikimin e kontrollit të linjës elektrike i kanë trokitur të premten në shtëpi. Ka hapur pikërisht 21-vjeçari. Gjatë kontrollit, karabinierët kanë gjetur 4 bimë të shëndetshme marihuane në ballkon, 2 gramë kokainë të fshehur mes kutive të kafes dhe sheqerit, 50 gramë gjethe marihuane të futur në furrë, ndoshta për t’u tharë, si edhe peshore e materiale për konfeksionimin e drogës.
Shehaj është arrestuar të premten dhe të shtunën ka dalë menjëherë në gjyq. Është dënuar me një vit e gjashtë muaj dhe një gjobë 3 mijë euro.