in

Brezat e dytë, të parët e klasës

Kush ka thënë që bijtë e emigrantëve nuk shkojnë mirë me mësime? Brisa, Greta, Klajdi, e shumë e shumë të tjerë dëshmojnë të kundërtën.
Brisa ka përfunduar vitin shkollor me rezultatet maksimale, Greta është e para e shkollës, ndërsa Klajdi (foto poshtë) është fitues i olimpiadës së Neuroshkencave në Itali dhe u rendit i teti në të njëjtën olimpiadë në nivel botëror

Brisa Lutaj, Francesco Cheng, Anna Wiktoria Redel. Tre nxënës model me origjinë të huaj që në institutin profesional Sassetti Peruzzi të Firences këtë vit kanë marrë notën maksimale në provimin e maturës. Vetëm dy nxënës të tjerë 100% italianë, kanë qenë në nivelin e të parëve në të njëjtën shkollë.
Një parakalim i vogël, që i vë shkelmin stereotipave mbi nxënësit e huaj që ulkan rendimentin e klasave, aq sa u dashkan ndarë në klasa të veçanta nga ato të italianëve. “E marrim shkollën shumë seriozisht, sepse e shohim si mundësinë e vetme që kemi për të çarë në jetë” Thotë Brisa në një intervistë. Pa kursyer një kritikë për bashkëmoshatarët me më pak dëshirë për shkollë: “Shoh shokët italianë që nuk tregojnë interes për të studiuar. E kjo gjë më ngre pak nervat”.
E mos kujtoni që rasti i shkollës së Firences është rasti i vetëm. “Ashtu siç ka ndodhur edhe me brezat e dytë e të tretë të italianëve në emigracion, edhe bijtë e emigrantëve në Itali mundtë arrijnë rezultate shkollore të shkëlqyera, edhe më të mira se të italianëve” thotë Carlo Melegari, drejtor i Qendrës së Studimeve mbi Imigracionin (Cestim) të Veronës.
“Natyrisht vështirësi ka, këta të rinj duhen ndihmuar fillimisht për t’u integruar në shkollë. Por aftësia për të kapërcyer pengesat, bashkë me pritshmërinë e lartë të prindërve të tyre, mund të përfaqësojnë një marsh më shumë për t’u bërë nxënës model” vëren Melegari.
Vullneti i brezave të dytë vërehet, për shembull, në kurset verore të gjuhës italiane të organizuara nga Cestim qindra bij emigrantësh u kthehen bankave për katër orë në ditë edhe në korrik e gusht, ndërsa bashkëmoshatarët e tyre bëjnë qejf plazheve. “Edhe ky fakt i thjeshtë është provë e një motivimi të madh” nënvizon drejtori i qendrës së studimeve.

Një tjetër rast ‘krenarie’ për shqiptarët në Itali është Klajdi Zeneja, 18 vjeç që jeton në Brescia e që në qershor u shpall fitues i olimpiadës së Neuroshkencave që u zhvillua në Qendrën e fizikës teorike “Abdus Salam” të Triestes, dhe u rendit i teti në shkallë botërore kur më pas përfaqësoi Italinë në Olimpiadën ndërkombëtare që u zhvilluar në San Diego të Kalifornisë nga 12 deri në 15 gusht. E ta thotë me shumë modesti: “Nuk arrita ndonjë rezultat në San Diego, u rendita i teti”.
Klajdi i ka të qarta idetë mbi të ardhmen e tij: “Pasioni për mjekësinë më shoqëron që i vogël – tregon gjithë krenari, para syve të përlotur nga mallëngjimi të së ëmës – gjithnjë kam pasur ndërmend të studioj për mjekësi pas liceut, por isha i pavendosur mbi specializimin. Tani, pas eksperiencës së Olimpiadës jam i sigurt që do të specializohem për neurologji”.
Kompeticioni ku mori pjesë Klajdi,  është i përbërë nga tre faza: lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Në Itali në fazën e garave lokale u përzgjodhën tre nxënësit më të mirë për çdo krahinë, të cilët më pas u seleksionuan në nivel kombëtar. Pesëmbëdhjetë nxënësit më të mirë që përfaqësonin krahinat Trentino Alto Adige, Friuli Venezia Giulia, Lombardia, Marche dhe Toscana sfiduan njëri-tjetrin në Olimpiadën kombëtare në një sërë provash të vështira si fjalëkryqe, harta anatomike, diagnoza patologjike dhe pyetje të tjera.
Pesë nxënësit që mblodhën më shumë pikë u përballën më pas në një provë me gojë, dhe Klajdi Zeneja e Caterina Gallizzoli, shokë klase, janë ata që dhanë të pesta përgjigjet e sakta. Më pas ata u përballën në një sfidë me eliminim të drejtpërdrejtë të cilën e fitoi i riu shqiptar.

Greta Priska është një tjetër bijë emigrantësh shqiptarë që jeton me familjen në provincën e Pratos. Në Montemurlo (PO), Greta ndoqi Institutin e Artit dhe ishte e para në shkollë: ajo përfundoi vitin shkollor me 98/100. Asnjë nxënës tjetër i shkollës nuk arriti të marrë notat e saj, ndaj edhe ishte Greta që meritoi edhe një çmim-bursë prej 500 eurosh që ish vënë në dispozicion për nxënësin më të mirë. (ke.bi.)

Duhet të mbërrija në Ancona, por më lanë në Bari

Ina Bisha, 110 me nderime e lavdërime