in

Edi Rama paraqet strukturën e qeverisë së re

Kabineti i ri nuk parashikon një ministri për emigracionin. Asnjë fjalë për përbërjen, veç që kjo qeveri “do të ketë numrin më të madh të grave në historinë e vendit”

Tiranë, 24 korrik 2013 – Edi Rama, kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë paraqet para mediave strukturën e  qeverisë së re që do të ngrihet mbi “bazën e një analize të hollësishme të strukturës ekzistuese dhe të gjithë degëzimeve të strukturës ekzistuese”, që sipas Ramës “përbëjnë një trupë më shumë parazitë dhe kërkojnë shkurtim”.

“Struktura e Qeverisë së re është ndërtuar mbi bazën e prioriteteve, por edhe të disa nevojave që ka vendi, duke konsultuar shumë struktura qeverish në vendet e reja të BE, dhe duke marrë në konsideratë domosdoshmërinë që të kemi një qeveri, e cila të ketë shumë më tepër përgjegjësi të qarta mes sektorëve dhe shumë më tepër mundësi për të krijuar kushtet që të prodhojmë rezultate me shumë më pak shpenzime nga taksat e qytetareve” shpjegon më tej Rama.

Disa ministri, si ajo e Financave, e Rendit, e Drejtësisë dhe e Mbrojtjes, nuk do të ndryshojnë në kompetencat e tyre, të tjera si ministria e Transporteve, e Ekonomisë, e Kulturës, e Punës, e Shëndetësisë, etj, do të pësojnë shpërbërje të pjesshme dhe zhvendosje të funksioneve të caktuara pranë dikastereve të tjera. Rama gjithashtu paralajmëron reforma të thella në çdo strukturë të qeverisjes aktuale. Rama thekson se do të ketë shkurtime në organikën e qeverisë.

Qeveria e re do të ketë një zëvendëskryeministër pa portofol tjetër.

Ministria e financave nuk ndryshon në kompetenca por do të pësojë një reformë të thellë të brendshme.

Ministria e brendshme, e mbrojtjes, e jashtme, e drejtësisë, nuk ndryshojnë në kompetenca por edhe këto do të reformohen.

Ministria aktuale e ekonomisë është strukturë e rëndë e do të ndahet në min. të zhvillimit ekonomise, tregtisë e sipërmarrjes dhe në min. e energjisë dhe e industrisë

ndahet dysh edhe ministria e punëve publike dhe e transporteve në 1. Min. për transportin dhe infrastrukturën dhe 2. Min. e zhvillimit urban dhe turizmit.

Ministria e Bujqësisë kthehet në min e bujqësisë, zhvillimit ural dhe të administrimit të ujërave;

Ministria e shëndetësisë merr edhe mbrojtjen e konsumatorit për fushën përkatëse;

Ministria e arsimit merr edhe sportin;

Ministria e punës dhe e çeshtjeve sociale kthehet në ministrinë e mirëqenies sociale dhe të rinisë;

Ministria e kulturës, që nuk do të ketë më shtojcat për sportin, rininë etj., do t’i kushtohet më mirë kulturës dhe trashëgimisë kulturore;

Do të kemi edhe një ministër për inovimin dhe Administratën publike dhe një ministër për çështjet vendore.

Komitetet ndërministrore do të reduktohen në mënyrë drastike.

Rama premton se në fillim të muajit gusht do të jepet edhe përbërja e qeverisë së re. Tani për tani nuk thotë asnjë emër të mundshëm por paralajmëron vetëm që në të “do të ketë numrin më të madh të grave në historinë e vendit”.

Struktura e Qeverisë së re: 

Kryeministri;
Zëvendës kryeministri (pa asnjë tjetër portofol)
Ministria e Brendshme
Ministria e Mbrojtjes
Ministria e Jashtme
Ministria e Integrimit
Ministria e Drejtësisë
Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
Ministria e Energjisë dhe Industrisë
Ministria e Transporteve dhe e Infrastrukturës
Ministria e Zhvillimit Urban dhe e Turizmit
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave
Ministria e Shëndetesisë
Ministria e Arsimit dhe Sportit
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Ministria e Kulturës
Ministria e Mjedisit
Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike 

Ministër për Çështjet Vendore
Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin

Operacion antidrogë në Romë. Arrestohen 17 persona

Sanatoria. Soldini (Cgil): “Più flessibilità sulla prova di presenza”