in

Qindra plantacione marihuane zbulohen në Shqipëri nga Guardia di Finanza

Falë një marrëveshjeje bashkëpunimi me policinë shqiptare, një avion i Guardia di Finanza ka monitoruar nga lart territorin shqiptar. E ka zbuluar mbi 500 plantacione, korrjet e ta cilave japin rreth njëmijë tonelata marihuanë për një vlerë mbi 4 miliardë euro

Romë, 6 gusht 2013 – Komanda Operative Ajrore e Guardia di Finanza (GdF), në bashkëpunim me policinë shqiptare ka mbikëqyrur nga lart territorin e Shqipërisë e ka zbuluar mëse 500 plantacione me kanabis që mund të transformohen në mbi 1.000 tonelata marihuanë, për t’u futur në tregun europian e veçanërisht në atë italian.

Është ky lajmi që jep në komunikatën e saj të shtypit GdF mbi veprimtarinë e dy muajve të fundit në Shqipëri, në zbatim të një marrëveshjeje të nënshkruar qershorin e vitit të shkuar që përcakton linjat bazë të mbikëqyrjes nga ajri të financierëve italianë në territorin shqiptar në kuadrin e luftës ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës.

“Gjatë muajve të fundit – thuhet në komunikatën e GdF-së – është monitoruar 12,5% e territorit shqiptar dhe janë fotografuar (në cilësi shumë të lartë) zonat e sinjalizuara nga autoritetet shqiptare si më të mundshmet për mbjelljen e kanabisit”.

Vetëm në Lazarat janë zbuluar 319 hektarë tokë të mbjellë me kanabis që përbën edhe 90% të sipërfaqes së mbjellë në Shqipëri.

Guardia di Finanza jep edhe shifrat marramendëse që trafiku i marihuanës së zbuluar së fundi do të sillte për trafikantët e drogës: “Marrëveshja e arritur me policinë shqiptare ka mundësuar zbulimin e qindra hektarëve tokë të dedikuara kultivimit të kanabisit, e qindra mijëra bimëve të mbjella që po të hidheshin në treg do të sillnin fitime për më shumë se 4 miliardë euro për trafikantët”.

Shiko videon e Guardia di Finanza

Lexo komunikatën e Guardia di Finanza

Shqipëria, çifligu i Cianos / 3

KQZ shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 23 qershorit