Sipas Qendrës lokale të regjistrimit të ndërmarrjeve private, janë emigrantët gjeneratori i zhvillimit social ekonomik të Fierit
Tiranë, 9 gusht 2013 – Rreth 60 % e bizneseve të çelura gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2013 në Fier i përkasin emigrantëve. Këtë njofton Qendra lokale e Regjistrimit të Bizneseve që vë në dukje se në kushtet e një recensioni ekonomik global, ata mund të konsiderohen gjeneratori i zhvillimit social-ekonomik, pasi kanë mbajtur gjallë veprimtarinë ekonomike të familjeve fierake.
Drejtues i kësaj qendre, Haxhi Krasniqi, në një intervistë për ATSH-në ka bërë një prezantim të përgjithshëm të situatës së biznesit, numrin e përgjithshëm të tyre, raportin mes çeljeve të reja dhe mbylljes së aktiviteteve private dhe preferencat në llojet e biznesit.
“Edhe pse në kushtet e një krize të rëndë që ka përfshirë ekonominë globale dhe veçanërisht Italinë e Greqinë, biznesi fierak nuk është gjunjëzuar. Raporti i hapjes dhe mbylljes së biznesit gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti është 3 me 1, duke e çuar numrin e bizneseve të reja në 260”, tha Krasniqi.
Meritë të veçantë, sipas tij, në përballimin e krizës ekonomike e kanë emigrantët, bizneset e të cilëve përbëjnë rreth 60% të aktiviteteve të çelura gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Sipas Krasniqit, ata kanë një nuhatje më të mirë për t’iu përshtatur krizës.
Preferencat e tyre i kanë kapërcyer fushat tradicionale dhe janë ndalur në disa sektorë më fitimprurës, që për shumë arsye ishin lënë në harresë. “Një pjesë e konsiderushme e migrantëve ushtrojnë aktivitetin e tyre në blegtori, agrobiznes, artizanat, etj, fusha këto jo shumë të parapëlqyera deri para pak vitesh”, tha Krasniqi. (sipas ATSh)