Në dy kontrollime të ndryshme, policia kufitare ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar njëherë 10 e njëherë 24 kg kanabis
Romë, 9 gusht 2013 – Forcat e policisë kufitare, në bashkëpunim me ato të antidrogës në portin e Durrësit, kanë sekuestruar sot paradite një sasi prej rreth 10 kg kanabis sativa, pak orë pasi kishin bllokuar 24 kg nga i njëjti lloj lënde narkotike.
Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut, bënë të ditur për ATSh-në se Lulzim Viva, 35 vjeç, është arrestuar pasi në automjetin e tij u gjetën rreth 10 kg lëndë narkotike canabis sativa. Sipas të njëjtave burime, autovetura tip Reno me targa AA 721 BP me të cilën 35-vjeçari nga Mamurrasi dhe familja e tij po udhëtonin drejt Barit u veçua për kontroll nga forcat e policisë kufitare. Gjatë kontrollit u gjetën disa paketa të mbështjella me natriban, të cilat ishin fshehur në brendësi të automjetit.
Po sot në orët e para të ditës është sekuestruar një sasi tjetër lënde narkotike canabis sativa që tentohej të të kalohej me traget drejt Italisë. Gentian Pelini, 24 vjeç lindur e banues në Gruemirë (Shkodër), është ndaluar pasi gjatë kontrollit në automjetin tip Golf me targa AA 720 GN u gjetën 15 pako të mbështjella me natriban. Pakot e fshehura në bagazh dhe në gomën rezervë të automjetit përmbanin sasinë e 24,1 kg kanabis sativa. Në të njejtën kohë forcat e rendit kontrolluan edhe banesën e tij në Gruemirë ku gjetën dy armë zjarri automatike, një pistoletë sportive dhe një pushkë gjahu.
Lexo edhe: Qindra plantacione marihuane zbulohen në Shqipëri nga Guardia di Finanza