in

Prishtinë. Fundjavë e zezë për udhëtarë të kompanisë Belle Air

Sipas të përditshmes kosovare Zëri, kanë qenë me qindra personat që kompania ajrore Belle Air ka lënë në tokë në Aeroportit e Prishtinës “Adem Jashari”, ose për overbooking ose për anulim të fluturimit. Udhëtari: “Nuk dimë ç’të bëjmë dhe ku të shkojmë. Për shkak të vonesave ne po i humbasim vendet tona të punës”.

Foto Laura Hasani
Gjashtë policë të Kosovës, një i EULEX-it, dhe mbi katër punëtorë të sigurimit, e ruanin të dielën sportelin e kompanisë  ajrore “Belle Air”, e cila gjendet brenda Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Megjithatë, as këto forca policore nuk mund t’i ndalnin qindra qytetarë, të cilët shtyheshin me bërryla për të marrë informacione rreth vonesave dhe anulimit të fluturimeve nga kjo kompani, sidomos për në Zvicër dhe Gjermani. Këtë shkruan e përditshmja kosovar Zëri, duke ngritur një problem që nuk është i ri për ata që udhëtojnë me këtë linjë ajrore.

Sali Topojani nga Kaçaniku së bashku me gruan e tij e kombësisë gjermane dhe dy fëmijë, të premten e kaluar kishin hipur në avion për t’u nisur drejt Dyseldorfit të Gjermanisë. Mirëpo, në moment të fundit atij iu është thënë që duhet të dalë nga avioni, sepse numri i udhëtarëve është më i madh se numri i ulëseve (overbooking).

“Këta të kompanisë na thanë se duhet të presim deri të dielën në orën 17:00 për të fluturuar, mirëpo edhe sot për arsye të panjohura është anuluar fluturimi. Ne nuk dimë se çka të bëjmë dhe ku të shkojmë. Si pasojë e vonesave ne po i humbasim vendet tona të punës. Ky është mjerim. Veç në Kosovë ndodhin gjëra të tilla”, shprehet i mllefosur ai, derisa tentonte të merrte sqarime nga punëtorët e kompanisë “Belle Air”.

Mirëpo, as pas shumë përpjekjesh nuk arriti të bëjë një gjë të tillë. Topojani nga distanca kërkonte nga stafi i kompanisë që t’i japin një dokument rreth anulimit të fluturimit, por tre punëtorët e kësaj kompanie, dy nga Shqipëria dhe njëri nga Kosova, nuk e bënin një gjë të tillë.

Madje ky i fundit kishte sjellje arrogante, edhe në raport me gazetarët e gazetës “Zëri” dhe të Radio Televizionit 21, të cilët bisedonin me qytetarë afër sportelit, të cilët pritnin me orë të tëra për të marrë informacione. “Vonesat po bëhen veç për pikë të qejfit”, thoshte punëtori i “Belle Air”, derisa fshihte ID-në e tij. (…)

Nga ora dy e natës në aeroport

Kastriot Mustafa nga Komuna e Suharekës, është dashur të shtunën të fluturojë drejt Zvicrës, mirëpo për shkak të shtyrjes së fluturimeve atij i është thënë nga punëtorët e kompanisë “Belle Air”, që fluturimi do të ndodhë të dielën në orën 4 të mëngjesit.

“Kam ardhur këtu në orën 2 të natës, ku kemi pritur deri në orën 4 dhe është shtyrë fluturimi. Më vonë na është thënë se fluturimi është shtyrë për në orën 14:00, por prapë nuk ndodhi. Sërish na premtuan se fluturimi është shtyrë për në orën 15:00, por edhe kjo nuk ndodhi. Së fundi na është thënë se fluturimi do të ndodhë pas orës pesë dhe po presim apo ndodh një gjë e tillë. Më shumë se 10 orë jam në Aeroport”,shprehet i mllefosur ai.

Mustafa thotë se sjelljet e tilla të kompanisë “Belle Air”, janë të papranueshme dhe të paarsyetueshme. Ai thotë se rezervimin e biletës për t’u kthyer nga Kosova në Zvicër e ka bërë në janar të këtij viti. “Është hera e fundit që unë blej biletë në këtë kompani. Po iu siguroj se 5 vjet nuk kam për të ardhur më në këtë shtet. Unë këtu kam ardhur për të pushuar dhe shpenzuar, por jo edhe për t’u torturuar”, shtoi më tej ai.

I lodhur dhe i nervozuar me pritjet shumë të gjata është edhe Besim Jakupi. Ai thotë se për orë të tëra është duke pritur në Aeroport me gruan dhe dy fëmijët e tij.

Jakupi bën të ditur se prej mëngjesit në vazhdimësi po ka shtyrje të kohës së fluturimeve drejt Zvicrës. Ai bën të ditur se të shtunën edhe miku i tij, Betim Zeqiri, nuk ka mundur të udhëtojë nga Aeroporti i Prishtinës drejt Zvicrës, pasi kompania “Belle Air”, ia ka marrë paratë dhe nuk i ka siguruar ulëse në avion. “Ai dje është detyruar që nga Aeroporti i Prishtinës të shkojë me taksi në Shqipëri, nga ku ka fluturuar nga Rinasi drejt Zvicrës, ku i ka humbur më shumë se 1.000 euro. Kjo është papërgjegjësi i kompanisë dhe institucioneve që e lejojnë funksionimin e kësaj”, tha ai.

I shqetësuar, i keqtrajtuar dhe i lodhur nga sjelljet e kompanisë “Belle Air” është edhe Naim Gashi, i cili të dielën së bashku me gruan dhe fëmijët e tij po mundoheshin të gjenin vend të lirë për të udhëtuar drejt Zvicrës. Ai thotë pardje punëtorët e kësaj kompanie e kanë marrë atë në telefon dhe i kanë bërë të ditur se të dielën nuk ka vende të lira, duke i sugjeruar që të udhëtojë 3, apo 4 ditë me vonesë. Mirëpo, Gashi thotë se nuk e ka pranuar një gjë të tillë, pasi rezervimin e biletave e ka bërë qysh prej muajsh të tërë.

“Unë nesër në orën 7 duhet të jem në punë. Paratë ua kam dhënë dhe këta duhet të kryejnë shërbimin e jo të na mashtrojnë neve”, tha ai.

Rashica: Ku është ministri i Diasporës?

Edhe Qefsere Rashica së bashku me xhaxhain  e saj të dielën kishin planifikuar të udhëtonin drejt Hanoverit të Gjermanisë, përmes kompanisë“Belle Air”. Mirëpo, në momentin e fundit, asaj por edhe qindra udhëtareve tjerë fluturimi i është shtyrë për të hënën, pa ndonjë paralajmërim.

“Unë nuk po e di së çfarë është duke ndodhur. Unë nesër jam në punë, nuk e di se si do të arsyetohem atje. Edhe vëllai dje është dashur të udhëtoj drejt Gjermanisë me këtë kompani, por në momentin e fundit është dashur të blejë një biletë në kompaninë “Euro Koha”, sepse kompania “Belle Air” i ka mashtruar”,shprehet e zhgënjyer ajo.

Sipas saj, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, është dashur të merret me problemin e saj, por edhe qindra qytetarëve tjerë që të dielën kanë pritur në Aeroport për më shumë se 10 orë dhe në fund janë detyruar të kthehen në shtëpitë e tyre, disa me taksi e disa me vetura të familjareve që i pritnin në Aeroport.

“Kjo është torturë. Kjo i jep Kosovës një imazh të keq dhe veprime të tilla të rinjtë edhe më shumë i ftohin për vendlindjen e tyre”,tha ai. Por, krahas shumë bashkatdhetarëve, në radhë pritnin edhe ushtare të NATO-s, po edhe punëtorë të zyrave dhe administratës ndërkombëtare që operojnë në Kosovë.

Edhe këta ishin mërzitur nga pritjet e gjata, por duke biseduar me njeri-tjetrin mundoheshin që ta ruajnë qetësinë dhe durimin.

Enis Veliu
Për më shumë lexo në gazeta Zëri: “Belle Air” vjedh pasagjerët dhe Qeverinë

Lexo edhe:
Ç’dëmshpërblime parashikohen për udhëtimet me avion të anuluara apo me vonesa?
Belle Air ndërron orar e nuk lajmëron në kohë. Pasagjeri padit kompaninë

Grosseto. Theret për vdekje 28vjeçari Kuko. Arrestohet vrasësi

Pavia. Arratiset në mëngjes e kapet në drekë. Zgjat pak “liria” e 23 vjeçarit