Do t’u lëshohet nga Kuestura, edhe me sinjalizim të asistentëve socialë. Dekretligji që sapo ka hyrë në fuqi mbron edhe të huajat
Romë, 19 gusht 2013 – Më shumë mbrojtje për viktimat e dhunës në familje që nuk kanë pasaportë italiane. Nëse nuk kanë qëndrim të rregullt do të mund të marrin lejen e qëndrimit që do t’i ndihmojë t’u shpëtojnë xhelatëve të tyre, siç ndodh edhe për viktimat e prostitucionit apo të punës në të zezë.
Norma përfshihet në dekretligjin “për luftimin e dhunës kundër grave” e futur në fuqi më 17 gusht, që ashpërson dënimet për keqtrajtimet në familje, dhunën seksuale dhe aktet persekutuese (stalking) dhe parashikon masa si largimi i menjëhershëm nga shtëpia i fajtorëve të dyshuar, apo asistencë legale falas për viktimat. Qeveria, siç shpjegoi edhe ministri i brendshëm Alfano pas miratimit të dekretit, dëshiron “të parandalojë dhunën, të ndëshkojë pa mëdyshje e të mbrojë viktimat” me një vëmendje të veçantë edhe ndaj të huajave.
Dekreti përmban në fakt një nen që fut “lejen e qëndrimit për viktimat e dhunës familjare”, të lëshuar nga Kuestura, me propozim apo me gjykim të favorshëm të Prokurorisë së Republikës. Do të ndodhë kur gjatë hetimeve për keqtrajtime në familje, lëndime personale, sakatim të organeve gjenitale, sekuestrim personash, dhunë seksuale apo akte persekutuese të bëra në Itali “në kuadrin e dhunës familjare” do të verifikohen “situata dhune apo abuzimi ndaj një të personi me shtetësi të huaj” dhe paprekshmëria e tij është në rrezik sepse do t’i shpëtojë dhunës apo sepse bashkëpunon me hetuesit (për shembull duke paditur fajtorin).
E njëjta leje qëndrimi do të mund të lëshohet edhe kur situatat e abuzimit apo të dhunës nxirren në pah nga organizmat e shërbimeve sociale të specializuar në asistencë për viktimat e dhunës. Në këtë rast do të jenë organizmat e shërbimeve sociale që do t’i nisin Kuestorit një relacion me të gjitha elementet që t’i lejojnë vlerësimin e “rëndësisë dhe të aktualitetit” të rrezikut për paprekshmërinë individuale. Dokumenti i qëndrimit mund t’u lëshohet qoftë shtetasve jokomunitarë, qoftë atyre komunitarë.
Po çfarë nënkuptohet me dhunën në familje? Dekreti e shpjegon në mënyrë të detajuar: “Të gjitha aktet, jo të rastësishme, të dhunës fizike, seksuale, psikologjike apo ekonomike që verifikohen në gjirin e familjes apo mes bashkëshortëve aktualë apo të mëparshëm, apo mes personave të lidhur aktualisht apo në të shkuarën nga dashuria, pavarësisht nga fakti se autori i akteve ka apo ka pasur të njëjtën rezidencë me viktimën”.
Elvio Pasca