Konsullatat kanë lëshuar deri më 24 gusht vizat e hyrjes. Do të mund të qëndrojë në Itali vetëm kush kalon testin e gjuhës dhe provimi e pranimit për fakultetet me numër të mbyllur studentësh
Romë, 25 gusht 2013 – Ka ardhur çasti të bëhet valixhja, të përshëndeten nëna babai e miqtë e të merret anija apo avioni. Për mijëra djem e vajza, edhe nga Shqipëria, ka ardhur ka ardhur çasti të nisen për udhëtimin që, nëse gjithçka shkon mirë, do të përfundojë pas disa viteve me një diplomë universitare italiane. Janë studentët që duan të nisin shkollën e lartë, universitetin apo akademinë në Itali. Specie e rrallë po të mbahet parasysh që studentët e huaj në Itali nuk arrijnë 4% të të gjithë popullsisë studentore ndërkohë që mesatarja evropiane është 8%, për të mos përmendur vende si Gjermania ku arrihet 10% apo si Mbretëria e Bashkuar ku një ndër pesë studentë është i huaj (20%).
Studentët e huaj në Itali janë rreth 80 mijë, mes atyre europianë e joeuropian. Mbeten gjithmonë në vend të parë studentët shqiptarë me 11.668 të regjistruar (në vitin shkollor 2010-2011), edhe pse vërehet një rënie e ardhjeve të studentëve nga Shqipëria.
Sipas një studimi të European Migration Network Italy, numri i ulët i studentëve të huaj përcaktohet kryesisht nga vështirësitë administrative që ata hasin në Itali për të marrë e përtërirë lejen e qëndrimit, për mekanizmin e vështirë të njohjes së diplomave të studimit të marra jashtë Italisë, për vendet e pakta në dispozicion në konviktet e studentëve, për bursat e pamjaftueshme të studimit apo për mungesën e kurseve në gjuhën angleze.
Por megjithatë, pengesat e vështirësitë e mësipërme nuk kanë shkurajuar të rinjtë të cilëve pikërisht këto ditë konsullatat italiane po u lëshojnë vizën e hyrjes (më saktësisht, sipas kalendarit të botuar nga ministria e Arsimit, dje ka qenë data e fundit e lëshimit të vizave).
Jo të gjithë ata që do t vijnë do të mund të qëndrojnë në Itali. Më parë duhet të kalojnë provën e njohjes së gjuhës italiane që mbahet të hënën më 2 shtator. Në ditët në vazhdim mbahen edhe provimet e pranimit të parashikuara për fakultetet me numër të mbyllur studentësh: Veterinari, Mjekësi e Kirurgji, Odontoiatri dhe arkitekturë. Vetëm kush do të kalojë këto prova do të mund të regjistrohet përfundimisht në Universitet dhe do të marrë lejen e qëndrimit për studime.
E.P., Stranieriinitalia.it