Rumunët janë një popull i vuajtur, ashtu siç janë dhe shqiptarët apo popuj të tjerë ballkanikë. Rumunët janë një popull që, si çdo tjetër, ka bindjet e veta, mangësitë, por ajo që i karakterizon ata, dhe që nuk është kuptuar në Itali, është respekti që kanë ndaj të tjerëve dhe rregullave në përgjithësi.
Reportazh nga Afërdita Shani
Për të kuptuar një popull ose për të njohur një Shtet, sipas shkrimtarëve, nuk mjaftojnë vite të tëra. Por unë mbasi kam jetuar tre muaj në Bukuresht, ndiej të paktën shtysën për një përgënjeshtrim të përshtypjeve, shpeshherë të gabuara ose të ekzagjeruara, që informacioni italian na ofron për këtë popull; ashtu siç ishte për shqiptarët disa vite më parë. Çfarë është më e gabuar se sa t’i veshësh cilësi keqbërësish 22 milionë banorëve, apo t’i konsiderosh gabimisht të gjithë të etnisë rome? Në fakt, vetëm 2,5% e tyre i përkasin me të vërtetë kësaj etnie, dhe sjelljet e këtyre të fundit në Romani janë qytetare, pa krijuar problematika të veçanta.
Qëndrimi atje ishte për motive pune e shkolle, mundësi që të jep dega e studimeve në fushën ndërkombëtare. Puna ime kishte të bënte me fushëveprimin e agjencive italiane për konsulencë financiare mbi investimet ose shpërnguljet e tyre në shtetet me krah pune me kosto më të ulët siç është Rumania.
Sa larg dhe sa afër shtëpisë-mëmë
Kur kam ardhur për herë të parë në Itali, për të afirmuar që ndihem në shtëpinë time më janë dashur shumë kohë. Ndërsa situata e ndryshme në Rumani më bëri të ndihem në shtëpinë time mbas vetëm pak ditësh. Kjo ndjesi lidhet me mundësitë e jetesës së përditshme: sa dhe çfarë mund të bësh, si mund të veprosh dhe nga ajo që dëshiron por nuk arrin të bësh. Një i huaj vendoset menjëherë në nivelet e larta të shtresës shoqërore, dhe si pasojë, fiton një trajtim special nga njerëzit në jetën e përditshme, pavarësisht nga mangësitë në komunikim. Rumania, nga njëra anë, është afër kulturës shqiptare në sistemin e komunikimit, në disa gjykime shoqërore dhe në vuajtjen e mungesave të krijuara nga historia. Në një këndvështrim më të thelluar, ajo që mungon janë disa bindje qytetare që kanë të bëjnë me sjelljen e përditshme (siç është thjesht mënyra se si ecin rrugëve), që me shikim të parë është në kontrast me atë që jemi mësuar të shohim në Itali dhe që të demonstron që ndodhemi në një nga vendet e Evropës së Lindjes.
Por këto janë hollësira pa vlerë, sepse ajo që i ofron Rumania një studenti, normalisht, është e pakrahasueshme me atë që unë mund të kërkoj në Itali në lidhje me mënyrën dhe nivelin e jetesës dhe me nxitjet rinore. Në Rumani, shpeshherë e quanim veten “Pasha”, sepse i lejonim vetes komoditete që në Itali do ishin të pamundura për një student. Mund të frekuentosh lokalet më të famshëm, restorantet më në modë, Teatrot kombëtar dhe ndërkombëtar, Atenetë muzikorë, madje dhe koncertet e shpeshta me këngëtarë me famë ndërkombëtare me çmime biletash më të leverdishme. Paga mujore e një punonjësi mesatar rumun rrallëherë i kalon 400 euro ne muaj, kështu që një rrogë bazë mujore prej rreth 500 eurosh të premton të bësh të ashtuquajturën jetë pashai.
Nuk mungojnë dhe ato gjërat që vrasin sytë e një të mësuari me jetesën në perëndim, siç janë dështimet e një civilizimi akoma të munguar. Në lidhje me papastërtinë e qytetit dhe të disa banorëve, me mungesën e rregullave në disa kënde të qytetit, me sjellje (për ne) të paqytetëruara siç është ecja rrugës me bust të zhveshur, ose t’u lejosh fëmijëve të bëjnë banjë në lumenjtë e ndotur të qytetit. Këto gjëra, të konsideruara si cilësi pozitive të zhvillimit në vendet perëndimore, në vendet si Rumania vijnë si pasojë e varfërisë dhe e mungesës së zgjedhjes alternative.
Kush janë rumunët
Kur nisesh për në Rumani, rumunët që njeh të porosisin të kesh kujdes nga bashkatdhetarët që janë të uritur për para, dhe që do të të vjedhin sapo ta kenë të mundur. Pra të këshillojnë, se pari, të jesh i kujdesshëm nga mashtrimet, madje të ofrohen si ndërmjetës, duke qenë se mashtruesit sprapsen po dëgjuan dikë që flet gjuhën e tyre. Po pse një rumun flet bindshëm kaq negativisht për bashkatdhetarët?
Në vendet që vuajnë padrejtësi sociale dhe të ashtuquajtur “në zhvillim e sipër”, që përjetojnë problemin e mungesës së sigurisë për çmimet e konsumit të përditshëm dhe të kontrollit të inflacionit, nuk është e çuditshme të mbesësh viktimë e mashtrimeve me çmimet. Në vende si Rumania apo dhe Shqipëria, ka nga ata që mendojnë se të “huajt” kanë një jetë më të mirë, të mbushur me mallra të ndryshme konsumi dhe me sasi parash të konsiderueshme. Bindje që në mënyre arrogante do t’i shtyjë ata të pretendojnë çfarëdolloj ndihme, edhe të pamerituar por të drejtë sepse pabarazia e një vendi me tjetrin është e madhe, dhe rezultati i fundit do jetë rritja e çmimeve në çast dhe servilizmi i sjelljes normale për të arritur objektivin.
Për të parandaluar këtë sjellje të bashkatdhetarëve, dhe për të përmirësuar famën e tyre në sytë e një të huaji, rumunët që njeh përpiqen të paralajmërojnë, të ndërhyjnë për të shmangur paragjykimin. E vërteta është se rumunët janë një popull i vuajtur, ashtu siç janë dhe shqiptarët apo popuj të tjerë ballkanikë. Tani, ata më shumë se kurrë vuajnë inferioritetin ndaj evropianeve edhe pse janë pranuar në BE, vuajnë paragjykimet në Itali dhe paaftësinë e klasës politike në vendin e tyre. Ata janë të zemëruar me bashkëkombësit që u japin famë të keqe jashtë vendit, duke e bërë sjelljen e tyre brenda vendit të jetë e mbushur me bujari dhe respekt ndaj të huajve.
Një shembull konkret: kur një i huaj i kërkon një rumuni një çfarëdolloj ndihme, ai do ta marrë si prioritet ofrimin e shërbimit, dhe çfarëdolloj dështimi do ta bëjë të ndihet i paaftë. Nga ana tjetër, po e gjykoi ndihmë që i kërkohet jashtë rregullave, ose mundësive të tij, do ta injorojë krejtësisht dhe do t’i drejtohet me arrogancë kërkuesit.
Kur arrita në apartamentit tim dhe nuk funksiononte interneti, një fqinj më ofroi falas kodin e përdorimit të linjës së vet internet wireless dhe refuzoi shpërblimin me para që i ofrova. Në një moment tjetër, kur e kuptuan që ishim një grup i huaj për vizitë tek një monastir, na ofruan simite dhe ëmbëlsira si shenjë e mirënjohjes së tyre. Përkundrazi, ata e demonstrojnë agresivitetin shoqëror në çaste kur shoferi i autobusit më bllokoi dy orë sepse gjykonte të parregullt ndaljen e tij kudo për të hapur porta-bagazhin ku unë kisha valixhen, pavarësisht se po e lusja sepse kështu do humbisja trenin; ose një ditë tjetër kur shoferi i autobusit mbylli derën pa mëshirë për pleqtë që po vraponin për ta kapur atë, thjesht sepse ata ishin jashtë orarit.
Na përgjithësi, rumunët janë ata që po u kërkove një informacion ose këshillë, do të të shoqërojnë deri sa të të zgjidhin hallin duke e ndier atë si problemin e tyre dhe duke ngulur këmbë me ndërhyrjen e tyre; por nga ana tjetër, janë ata që po pritën diçka nga ty, do të të telefonojnë pa fund, pa durim ose respektim orari. Por janë një popull që, si çdo tjetër, ka bindjet e veta, mangësitë, por ajo që i karakterizon, dhe që nuk është kuptuar në Itali, është respekti që ka ndaj të tjerëve dhe rregullave në përgjithësi.
(vijon)
Lexo edhe: Integrimi në Rumani / 2