Nga 4 shtatori edhe të huajt me qëndrim afatgjatë në Itali mund të përfitojnë çekun e komunave për familjet me shumë fëmijë. U takon atyre që kanë të paktën tre fëmijë të mitur e të ardhura të ulëta
Romë, 5 shtator 2013 – Nga dje (4 shtator), edhe shtetasit e huaj që kanë në xhep lejen e qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë, atë që njohim si karta e qëndrimit mund të kërkojnë çekun për familjet me shumë fëmijë që jepet nga komunat.
Risia ka ardhur në fuqi me ligjin europian 2013, që në bazë të normativave europiane, i ka dhënë fund një diskriminimi në dëm të të huajve me qëndrim të gjatë në Itali. Madje edhe gjykatat italiane prej vitesh ishin të kësaj ideje, pranonin ankimet e paraqitura nga qytetarët e huaj me kartë qëndrimi dhe njihnin diskriminimin e ushtruar ngaj tyre, por INPS, enti që jep çekun, vazhdonte t’ua mohonte.
Natyrisht për të përfituar çekun, veç kartës së qëndrimit, shtetasit e huaj suhet të plotësojnë edhe kriteret e tjera të parashikuara për shtetasit europianë e italianë: të kenë të paktën 3 fëmijë të mitur dhe të ardhura që nuk kapërcejnë një kufi të përcaktuar në bazë të numrit të familjarëve. Këtë vit, për shembull, një familje me pesë përsona, nga të cilët tre janë bij të mitur, duhet të kenë një tregues të situatës ekonomike (ISE) jo më të lartë se 24.377,39 euro.
Instituti i sigurimeve shoqërore INPS i është përshtatur menjëherë ligjit të ri dhe ka përditësuar faqet internet, ku nga 4 shtatori shkruhet që “kanë të drejtën e çekut për bërthamat familjare të komunave” edhe “qytetarët e vendeve të treta që janë qëndrues prej një kohe të gjatë”. Në të njëjtën faqe jepen edhe të gjitha informacionet e nevojshme për të kërkuar çekun.