INPS merr në konsideratë vendimet e gjykatës kushtetuese. Inca-Cgil: “Më në fund! Duhet ta kish bërë me kohë”
Romë, 5 shtator 2013 – Këtej e tutje “kompensimi për shoqërimin dhe pensioni i invaliditetit duhet t’u jepen edhe të gjithë të huajve me qëndrim të rregullt prej të paktën një viti, edhe nëse nuk kanë lejen e qëndrimit Ce për qëndruesit prej një periudhe të gjatë”. Me pak fjalë edhe të huajt me leje qëndrimi në Itali prej një viti mund të përfitojnë kompensimet në të holla nëse janë invalidë.
Është mesazhi i nisur më 4 shtator nga INPS të gjitha selive periferike të saj, në të cilin nënvizohet që, natyrisht, përfituesit duhet të përmbushin edhe të gjitha kriteret e tjera të parashikuara nga ligji (gjendja shëndetësore, rezidenca në Itali etj.). Në këtë mënyrë pranohen më në fund vendimet e gjykatës kushtetuese, që ka deklaruar disa herë antikushtetueshmërinë e nenit 80, paragrafi 19 të ligjit 388/2000, në pjesën në të cilën kushtëzon marrjen e ndihmave asistenciale me pasjen e kartës së qëndrimit.
“Mbyllet në mënyrë pozitive një histori e nisur shumë vjet më parë me ankimime legale që kanë pasuar njëri-tjetrin nga viti 2006, akoma përpara se çështja të merrej në shqyrtim nga gjykata Kushtetuese” komenton Morena Piccinini, presidente e Inca-Cgil. Patronati kishte kritikuar INPS për pranimin me vonesë të sentencave të gjykatës: “Inps duhet të mësohet të respektojë pa shumë mëdyshje kërkesat e drejta të qytetarëve, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës. Shenjë qytetërimi që do të ndihmonte të binte në luftimin e çdo impulsi ksenofob dhe në rritjen e kulturës së solidaritetit dhe tolerancës”.