Presidenti Bujar Nishani mandaton sot për formimin e qeverisë së re Edi Ramën, kryeministrin e propozuar nga mazhoranca
Tiranë, 10 shtator 2013 – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në takim Kryeministrin e propozuar nga koalicioni i majtë, Edi Rama.
Gjatë këtij takimi, i cili zgjati rreth 40 minuta, Kreu i Shtetit mandatoi Kryeministrin e propozuar nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, për krijimin e Qeverisë së re.
Propozimi për emërimin e zotit Rama, si Kryeministër i Shqipërisë, iu dorëzua një ditë më parë Presidentit Nishani nga kryetari i Partisë Socialiste, ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ai i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, në emër të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, mbështetur në nenin 96, pika 1, të Kushtetutës së vendit.
Pas emërimit nga ana e Presidentit, Rama dhe kabineti i ri qeverisës, do të votohet në Kuvend.
Ndërkaq, në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërise bëhet betimi i deputetëve fitues në zgjedhjet e 23 qershorit. I vetmi që nuk e bën këtë gjë është Vasili Bici, duke qenë se e ka refuzuar mandatin. Bici do të zëvendësohet nga një tjetër demokrat, Mëhill Fufi, që më 23 qershor u plagos me armë gjatë përplasjes me një militant të LSI-së.
Më pas zgjidhet, me propozim të të majtëve, Ilir Meta kryetar i Kuvendit, post që mbajti për tetë vjetët e fundit Jozefina Topalli. Nga 137 deputetë që marrin pjesë në votim, 91 votojnë në favor të emrit të Metës, 45 kundër dhe 1 abstenim. Meta duket se merr, veç votave të mazhorancës së re, edhe 8 vota nga të djathtët.