Vetëm dje dhe sot janë ndaluar në Gjirokastër 53 vetë. Mbi 500 nga fillimi i vitit
Tiranë, 15 shtator 2013 – Vazhdojnë flukset e migrantëve të parregullt nga Eritrea, Maroku dhe Pakistani, etj. që përdorin territorin shqiptar për të shkuar drejt perëndimit. Vetëm brenda këtij viti, Policia Kufitare e Gjirokastrës ka ndaluar mbi 500 migrantë të parregullt, të ardhur nga shteti fqinj, Greqia, dhe kanë tentuar të kalojnë përmes Shqipërisë për në vendet e Evropës Perëndimore.
Sipas ATSh-së, 19 imigrantë të parregullt, nga Eritrea e Pakistani, u ndaluan mëngjesin e sotëm nga policia kufitare e Gjirokastrës, 3 kilometra larg qytetit, pranë lumit Drino.
Edhe dje u ndaluan 34 imigrantë të parregullt në dy aksione të ndryshme për policisë kufitare në qarkun e Gjirokastrës, teksa po udhëtonin në fshehtësi nga kufiri grek në thellësi të territorit shqiptar. Referuar burimeve policore, grupi i parë i migrantëve të ardhur nga Eritrea, Maroku dhe Pakistani, u ndaluan tre kilometra larg Tepelenës, ndërsa grupi i dytë u ndalua pranë Subashit, rreth 12 km larg Gjirokastrës.