Janë arrestuar 5 persona dhe janë paditur 16 në gjëndje të lirë në Itali, 6 kërkohen në Shqipëri. Të gjithë shqiptarë
Romë, 27 shtator 2013 – Në orët e para tëmëngjesit të sotëm, Policia e Alessandrias ka arrestuar anëtarët e një bande kriminale shqiptarësh të akuzuar për vjedhje në vila, edhe me dhunë, vjedhje bakri dhe trafikim ndërkombëtar lëndësh narkotike. Kanë përfunduar në burg katër shqiptarë, një tjetër është lënë në arrest shtëpie, ndërsa gjashtë të tjerë kërkohen në Shqipëri. 16 persona të tjerë janë paditur në gjendje të lirë.
Gjatë hetimeve, janë dokumentuar dhjetë raste të ndryshme vjedhjesh. Mes mallrave, shumë prej të cilëve shiteshin jashtë Italisë, edhe 13 piktura me vlerë autorësh të njohur të shekullit XIX të vjedhura në banesën e një gruaje në Alessandria. Vetëm nga bakri i vjedhur, llogaritet që banda të ketë fituar rreth një milion euro. Ndër episodet më “frytdhënëse” për bandën, vjedhja në shtëpinë e një familjeje nga Alessandria në 7 qershor 2012 nga nisën edhe hetimet; vjedhja me dhunë në një vilë në 6 shtator 2012, ku familja u kërcënua me armë dhe vjedhja në fund të vitit të shkuar në një ndërmarrje e një sasie të madhe bakri, nga shitja e të cilit banda ka fituar rreth një milion euro.
Paratë e fituara nga shitjet investoheshin për të blerë në Shqipëri marihuanë që shitej pastaj me pakicë në Itali. Gjatë hetimeve janë sekuestruar rreth 80 kg që ishin për tregun e Ravennës dhe të Tarquinias.
Sipas komunikatës së shtypit të Kuesturës së Alessandrias, hetimet janë çuar përpara në bashkëpunim me forcat e policisë shqiptare.