in

Lamtumirë Drita Pelingu

Aktorja e skenës dhe filmit shqiptar, Drita Pelinku, është ndarë sot nga jeta në moshës 87 vjeçare. Artistja ka pasur një karrierë mëse 60-vjeçare në aktrim, regjisurë dhe pedagogji. Aktorja ka lënë shenjë në ekranin e madh në filma si “Kur hidheshin themelet”,  “Njeriu me top”, “Radiostacioni”, “Vajza me kordele të kuqe”,  “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Përtej mureve të gurta”, etj. Pelingu ka luajtur mbi 120 role në teatër dhe kinematografi. Mban titullin “Artiste e Merituar” që nga vitit ’86, ndërsa në vitin ’96 ështe fituese e çmimit kombetar “Ismail Qemali”. Pesë vjet të shkuara, ajo u nderua me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe e Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.

Në moshën 85 vjeçare ajo iu rikthye skenës me dramën “Shtrigat e Salemit”, një vendim  jo i zakonshëm ky sidomos mbas humbjes së të bijës dhe mbesës. Duartrokitjet e fundit ju dhuruan nga publiku në interpretimin e Zerinës në shfaqjen “Përjetësisht dashuria”, premierë e TK-së, vitin që shkoi.

Në një intervistë dhënë për ATSH-në dy vite më parë, në 85 vjetorin e lindjes, artistja Pelinku rrëfeu se jetën nuk e ëndërronte si aktore, por nuk ka menduar kurrë të heq dorë nga teatri. Ishte viti 1926 kur në qytetin e Vlorës lindi ajo që më pas do të bëhej një yll i skenës shqiptare me mbi 130 role në skenë.     

Ndër kujtimet e saj më të hershme nga fëmijëria e largët Pelingu është shprehur se ajo që i vjen ndër mend është biçikleta. “Biçikleta ime e dashur. Dëshmimtarja besnike dhe e heshtur e të gjitha bëmave të fëmijërisë sime”, ka thënë ajo.

Jetën studentore në “Instituti Nëna Mbretëreshë”, një shkollë femërore Dtita Pelinku e kujtonte me nostalgji me gjithë bukuritë dhe prapësitë e adoleshencës. Kujtonte mjediset e ndryshme deri edhe dhomat e fjetjes me dritaret mbi rrugicë, nga vinin çdo natë djemtë dhe u bënin serenata vajzave. “Kujtoj me nostalgji profesorët e mrekullueshëm e mbi të gjitha shoqet e klasës me të cilat ruajmë marrëdhënie edhe sot, por kemi mbetur shumë pak. Rreshtat tanë gjithnjë po rrallohen, por ne mblidhemi”, është shprehur Pelinku.

Artistja që numëron qindra role në skenë nuk ka ëndërruar që e vogël se do të bëhej aktore, sipas saj kjo ndodhi krejt rastësisht. Kur ishte në klasën e katër të shkollës fillore interpetoi në shfaqjen “Vajza e pabindur”, në ceremoninë e mbylljes së sezonit shkollor. “Kjo shfaqje ka një histori shumë të bukur duke lënë kështu një kujtim të paharrueshëm për mua, por jo asnjë gjurmë në preferencat e së ardhmes sime sepse as kisha parë teatër, as përfytyrohej një profesion i tillë”, ka thënë ajo.

Kur në dhjetor të vitit 1945 u shpall në gazetë konkursi për hapjen e shkollës së parë dramatike, ëndrra që as vet ajo se dinte se qëndronte e strukur brenda, shpërtheu. Pa pyetur as babanë, as nënën, as motrat më të mëdha rrëmbeu për dore motrën më të vogël dhe vrapoi në dyert e konkursit duke qënë kështu e vetmja femër që konkuroi dhe fitoi krahë të talentuarve të tjerë si: Kadri Roshi, Naim Frashëri, Lazër Filipi, etj.

“Isha e re, për paragjykimet e kohës që të mbysnin nuk pyesja fare”, shprehet Pelinku ndërsa shton se në atë kohë marrëdhëniet me familjen u tronditën. I ati gjithmonë i thoshte se do vazhdonte hkollën e lartë jashtë shtetit. “Presionet për të hequr dorë nuk më lëkundën, por në heshtjen e natës qaja. Jo pse kisha bërë zgjedhjen time por pse i kisha gënjyer. Më vriste ndërgjegjja se kisha gënjyer idhujt e mi që i doja aq shumë”, tha Pelinku.

Roli i saj i parë ishte ai i piktores tek drama “Portreti” i cili u pasua më pas vetëm nga kryerole. Kur e pyet se ku ndihet më e realizuar në film apo në teatër shprehet shkurt: “Patjetër në teatër” dhe kujtoi me dëshpërim që nuk e shfrytëzoi aq sa duhej kinematografinë. Megjithëatë ajo numëron role në filmat si: “Kur hidheshin themelet”,  “Njeriu me top”, “Radiostacioni”, “Vajza me kordele të kuqe”,  “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Përtej mureve të gurta”, etj.

Në moshën 18 vjeçare, krahas thyerjes së tabusë dhe fillimit të studimeve në shkollën dramatike, në jetën e saj troket dashuria për atë që më pas do të bëhej bashkëshorti i saj Hysen Pelinku. Me këngëtarin ajo do të rriste dy vajza, ndërkohë që në vitin 1997 kur ai u nda nga jeta aktorja Pelinku do të kuptonte se humbi jo vetëm bashkëshortin e  por edhe shokun e pazëvëndësueshmë të jetës.

Emocionet e një roli për të nuk kanë mbaruar kurrë me duartrokitjet e publikut pas një shfaqjeje, ato vazhdonin edhe në shtëpi. “Tingujt e kitarës së Hysenit dhe zërat e vajzave që e shoqëronin më shlodhnin, më argëtonin më rrethonin me dashuri. Sot, kur kthehem nga ndonjë shfaqje, mbyll derën dhe ndeshem me vetminë”, thotë Pelinku.

Por gjatë karrierës së saj shumë vjeçare artistja ka ndjerë shumë zhgënjime dhe lodhje, por të heq dorë nga teatri kurrë. Nëse nuk do të ishte aktore, Pelingu do të donte të  ishte mësuese. “Ose do të kisha plotësuar dëshirën e babait për arsimimin e lartë jashtë shtetit. Për çfarë? Nuk e di.”, ka thënë ajo.

Në fakt Drita Pelinku për 32 vjet ka qënë pedagoge në Akademinë e Arteve, dega dramë regjisurë. Puna me studentët nuk e ka lodhur asnjëherë, madje edhe mjaft prej tyre i vijnë në shtëpi. Kur nxjerr disa fotografi që ka me ta i kujton të gjithë në emër. Në korrik të vitit 2008 me provim e fjalës artistike në kursin e III regjisurë i dha edhe lamtumirën punës si pedagoge.

Pelingu rrëfeu edhe pengun e saj më të madh që i la teatri. Në vitin 1966 një telegram nga Vlora e lajmëronte për sëmundjen e papritur të nënës ndërsa po punonte për shfaqjen “Tri të shtëna pushke”. Në mbrëmje ajo bën provën e përgjithshme dhe pas saj natën udhëton me taksi për në Vlorë së bashku me të shoqin, por nëna ishte rënduar dhe nuk e njohu. “Ato 2-3 ditë që ndenja në Vlorë nuk duroja dot  të më pyeste njeri për teatrin. E urreja! Ai më la atë peng që koha edhe vitet nuk e shlyen dot kurrë”, ka thënë ajo.

Në moshën 85 vjeçare edhe pse ajo ishte shumë e kënaqur për të gjitha ato që i ofroi teatri vazhdoi “luftën” për të lën pas emrin e njeriut të mirë dhe të aktores së vërtetë, ashtu siç ajo dëshironte. Drita Pelinku, një grua e fortë që nuk e mposhtën as dhimbjet më të mëdha të jetës, fitoi betejën me vitet që ikni duke u ngjitur në skenë dhe duke dhuruar emocione deri në fund të energjive të saj.

Tetori, muaji i ëndrrës amerikane

La ricerca: La crisi colpisce duramente gli stranieri, che pensano ad una nuova migrazione