in

Bonino në Tiranë i kënaq të gjithë, majtas e djathtas

Siguron Ramën për mbështetje të vazhdueshme në proceset e integrimit ndërsa Bashën e përgëzon për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, “meritë e PD-së”

Tiranë, 9 tetor 2013 – Bonino ka takuar, veç ministrit të Jashtëm Bushati, edhe kryeministrin Rama dhe kryetarin e PD-së, Bashën.

Gjatë takimit në kryeministri, palët shprehën angazhimin e dyanshëm për zgjerimin e bashkëpunimit, në frymën e marrëdhënieve të deritanishme mes dy vendeve dhe në kuadër të Partneritetit Strategjik, duke u përqendruar në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe shtimin e investimeve italiane në Shqipëri.

Ministrja Bonino e siguroi kryeministrin Rama, ashtu si edhe ministrin e Jashtëm pak më parë, për mbështetjen e fortë që Italia i ka dhënë dhe do të vazhdojë t’i japë Shqipërisë në rrugën e integrimit drejt Bashkimin Evropian. Ndërsa Edi Rama i shprehu Emma Boninos mirënjohjen për mbështetjen e Italisë në të gjitha fushat e zhvillimit në Shqipëri, e në veçanti në rrugën drejt integrimit evropian.

Në takimin me kreun e opozitës, Lulzim Basha, ministrja italiane vuri theksin në mbarëvajtjen e zgjedhjeve që ajo i konsideroi meritë të qeverisjes së PD-së si dhe në disa hapa të rëndësishme të hedhura gjatë asaj qeverisjeje si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, liberalizimi i vizave, dhe bashkëpunimi për projektet strategjike si Gazsjellësi Trans-Adriatik, fusha në të cilat Shqipëria ka pasur gjithnjë mbështetjen e Italisë. 

Duke iu referuar situatës aktuale politike në vend dhe debatit maxhorancë opozitë në lidhje me prishjen e konsensusit mbi ligjin e administratës civile, Bonino theksoi se parimi më i rëndësishëm që do të vlerësohet nga Brukseli në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE është ai i gjithëpërfshirjes.

Takim me gratë sipërmarrëse

Gjatë vizitës së saj në Tiranë, Emma Bonino zhvilloi një takim me gratë sipërmarrëse shqiptare dhe italiane që punojnë në Shqipëri.

Në fjalën e saj Bonino e vuri theksin tek autonomia financiare, si çelës i suksesit të femrave në biznes. “Unë vazhdimisht theksoj se nuk ka zhvillim ekonomik pa pjesëmarrjen aktive të gjysmës së popullsisë, femrave”.     

Duke iu drejtuar femrave sipërmarrëse, por jo vetëm, Bonino u shpreh: “mos kërkoni mbrojtje, por mundohuni të fitoni hapësirat e kërkuara. Jo të gjitha do t’ia dalin. Fitojini vetë hapësirat tuaja, mos prisni t`ua dhurojnë. Historia e botës tregon se ndryshimi është i mundshëm, autonomia ekonomike, është shumë e mirë. Ajo që duhet të kërkojmë është hapësira që secila të rritet sipas projektit të saj”, tha Bonino, e cila në përfundim të fjalës së saj tha se, “Liria nuk është sinonim i lumturisë”.

Jolanda Kote, sipërmarrëse shqiptare, anëtare e shoqatës së grave profesionsite, afariste dhe zejtare, solli në vëmendje të të pranishmëve, se bizneset që drejtohen nga gratë janë shumë të pakta në numër: “Raportohet se numri i bizneseve të grave është shumë i vogël, një prej faktorëve është mungesa e pavarësisë ekonomike për të nisur një sipërmarrje. Femrat në Shqipëri janë më së shumti shtëpiake ose që kontribuojnë në familje me një rrogë. Duhet të shkëputemi nga ky mentalitet”, tha Kote.

Ajo këshilloi se, për sukses në sipërmarrje, grave duhet t’u vijë në ndihmë shteti përmes kredive për femrat. Sipas saj, “suksesi në një sipërmarrje ka nevojë për disa faktorë si rritja e nivelit arsimor dhe profesional të grave dhe vajzave dhe besimi i plotë të vetja”.

E pranishme në këtë takim ishte dhe Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit që vlerësoi praninë në Tiranë të ministres italiane. “Të gjitha ne besojmë se është privilegj të kemi mes nesh një shembull të një gruaje të zakonshme që gjendet në rolin e quajtuar padrejtësisht të pazakonshëm për gratë, Emma Bonino. Ajo bën atë që një grua e pazakonshme mund të bëjë, të takohet me gratë dhe vajzat që bëjnë ndryshimin, duke sjellë tek ne eksperiencën e përtej detit”.

Lexo edhe: Bonino me Bushatin: Marrja e statusit brenda vitit, objektiv i arritshëm për Shqipërinë

OSBE. Kriza ekonomike frenon lejet e qëndrimit. Edhe për shqiptarë

Essere clandestino non sarà più reato