Pa ndërhyrjen e të rinjve, Rina Delfino do të kish vdekur e helmuar nga tymi. Tani të afërmit e saj duan të dinë kush janë shpëtuesit e saj për t’i falënderuar
Romë, 2 nëntor 2013 – “U bëj apel tre djemve që shpëtuan 80-vjeçaren Rina Delfino nga flakët. Ju lutem, bëhuni të gjallë, duam t’ju falënderojmë. Jeni vërtet tre engjëj”. Kështu u drejtohet përmes shtypit lokal një fqinjë e të moshuarës Delfino në lagjen Villapiana të Savonës, tre të rinjve shqiptarë që i shpëtuan jetën.
“Dëgjuam të goditura e të bërtitura. Kur hapëm dyert e apartamenteve tona – tregon fqinja Katia Orengo për IVG – na mbyti tymi dhe kuptuam që diku kishte rënë zjarr. Filluam të zbrisnim e të dilnim jashtë me nxitim ndërsa tymi shtohej me shpejtësi shkallëve të pallatit”.
Tre djemtë shqiptarë, që nuk banojnë në pallat por që kalonin aty rastësisht, sapo kanë kuptuar që në apartamentin që kish marrë zjarr kishte një person, kanë bërë të pamundurën për të hyrë brenda e për ta tërhequr jashtë me zor, duke e shpëtuar kështu nga tymi e flakët.
“E moshuara Delfino ishte e trembur dhe shumë e turbullt mendërisht. Kishte thithur tym, por në spital, ku e çuan menjëherë, sigurojnë se nuk do të ketë pasoja”.
Djemtë që e shpëtuan, u larguan me të mbërritur ambulanca e zjarrfikësit. Askush nuk mori vesh si quhen, por fakti është se pa ndërhyrjen e tyre të menjëhershme, Rina Delfino do të kish vdekur e helmuar nga tymi. Tani të afërmit e saj duan të dinë kush janë për t’i falënderuar.
Red. Shqiptari i Italisë
Lexo edhe: Tre të rinj shqiptarë, heronj për një ditë. Shpëtojnë të moshuarën nga flakët