in

Studentët e huaj. Tani është ligj: lejeqëndrimi për gjithë kohëzgjatjen e studimeve

E thotë dekreti mbi arsimin i konvertuar në ligj mëngjesin e sotëm. Por duhet pritur për disa muaj para se të kalohet nga teoria në praktikë

Romë, 7 nëntor 2013 – Konvertimi në ligj i dekretit mbi arsimin, i miratuar përfundimisht mëngjesin e sotëm në Senat, sjell risi të rëndësishme për studentët e huaj në Itali.

Ndërhyn në fakt mbi kohëzgjatjen e lejeve të qëndrimit për motive studimi, që deri më sot zgjat vetëm një vit. Këtej e tutje nuk mund të jetë “më e ulët se periudha e frekuentimit, edhe shumëvjeçar, të një kursi studimi të instituteve shkollore, universitare dhe të formimit të lartë artistik, muzikor, koreografik, ose për formim të certifikuar”.

Por gjithnjë një kusht: “verifikimi vjetor i përparimit në provime”. Do të thotë, për shembull, që një student universitar duhet sidoqoftë të marrë çdo vit një numër të caktuar provimesh për të ruajtur të drejtën e qëndrimit në Itaii. Një risi tjetër: “Leja e qëndrimit mund të zgjatet me dymbëdhjetë muaj përtej përfundimit të viteve të universitetit apo kursit të formimit”, normë që do t’u japë ndonjë mundësi më shumë atyre që pas viteve të studimeve duan të hyjnë në tregun e punës.

Mbeten akoma pa përgjigje disa pikëpyetje mbi mënyrën se si do të zbatohet ligji i ri. Për shembull, për të treguar se po vazhdon të përparojë me provime, studentëve do t’u duhet të kërkojnë çdo vit një certifikatë për ta paraqitur në Zyrën e të huajve, apo Universiteti e Kuestura do të dialogojnë mes tyre në rrugë telematike?

Një tjetër çështje është ajo financiare. Sa do të kushtojë lejeqëndrimi i ri? Deri tani, duke qenë dokument njëvjeçar, taksa mbi lëshimin e përtëritjen ishte 80 euro. Këtej e tutje ka shumë mundësi që bashkë me kohëzgjatjen t’i rritet edhe kostoja pasi ligji i ri specifikon që “ky nen nuk mund të sjellë barrë të re e më të lartë në ngarkim të financave të shtetit”. Si do të rikuperohen atëherë paratë që shteti do të humbasë me rënien e numrit të përtëritjeve? Do të shumëfishojë taksën në përpjestim me kohëzgjatjen e dokumentit?

Qeveria duhet t’u përgjigjet këtyre e të tjera pyetjeve në gjashtë muaj, duke modifikuar rregulloren zbatuese të Tekstit Unik mbi imigracionin. Dhe vetëm 15 ditë pas atij modifikimi do të hyjnë më në fund në fuqi normat e reja mbi kohëzgjatjen e lejes së qëndrimit për studime.

Elvio Pasca

Pse i duhej Korça kryeministrit Rama

Kthehet në dhjetor Festivali i Këngës në RTSh. Më pak artistë, thuajse të gjithë të rinj