E miratuar në vitin 1998, Kushtetuta për shumë vite nuk njohu ndryshime, ndërkohë që vetëm në pesë vitet e fundit (2007, 2008, 2012) ajo është amenduar tre herë
E miratuar më 21 tetor 1998, gjatë punimeve të legjislaturës së XV-të të Kuvendit, Kushtetuta shqiptare u adoptua më 28 nëntor 1998, përmes një referendumi mbarëpopullor, duke u cilësuar nga ekspertët ndërkombëtare në përputhje me rregullat e standardet europiane.
Dokumenti themeltar i shtetit e përkufizon Shqipërinë republikë parlamentare, shtet unitar e të pandashëm dhe me një qeverisje të bazuar “në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”. Sipas tij, organi ligjvënës përbëhet nga një dhomë, që është Kuvendi i cili ka 140 anëtarë.
Pas votës referendare në nëntor ’98, Kushtetuta për shumë vite nuk njohu ndryshime, ndërkohë që vetëm në pesë vitet e fundit (2007, 2008, 2012) ajo është amenduar tre herë. Shpesh politika ka vendosur të ndërmarrë nisma për amendim të neneve kushtetues, në ato pika ku shihet e domosdoshme. Por, jo gjithmonë iniciativat për ndryshim të Kushtetutës janë përkrahur nga i gjithë spektri politik, i cili në jo pak raste ndan mendime të ndryshme për këtë çështje.
Për herë të parë ligji kushtetues u amendua në Kuvend më 13 janar 2007, me ndryshimin e nenit 154 të saj. Përmes këtij ndryshimi mandati i të zgjedhurve vendorë nga 3 u bë 4 vjet dhe numri i anëtarëve të KQZ-së, nga 7 shkoi në 9 anëtarë.
Një vit më pas, në mars 2008 ndërmerret nisma për një reformë kushtetuese, e cila zgjeroi gamën e çështjeve, duke filluar nga sistemi zgjedhor në Shqipëri, procedurat e zgjedhjes së Presidentit, mandati i Prokurorit të Përgjithshëm dhe mocioni i besimit e mosbesimit ndaj Kryeministrit. Paketa me problematikën e mësipërme, e inicuar me vullnetin e përbashkët të dy forcave më të mëdha politike në vend, PD e PS, u miratua me një konsensus të gjerë në Kuvend (117 vota), në seancën plenare të 21 prillit 2008.
Ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor parashikonin kalimin nga një sistem i përzier maxhoritar proporcional, siç parashikohej në Kushtetutë, në një sistem proporcional rajonal.
Propozimet për procedurën e zgjedhjes së Presidentit synonin shmangien e krizave politike dhe institucionale të panevojshme, ndërsa ndryshimet kushtetuese që lidhen me mocionin e besimit e mosbesimit ndaj Kryeministrit synonin, ndër të tjera, stabilitet në qeverisje.
Ende pa u shuar mirë debati për amendimet në fjalë, Kuvendi hedh sërish hapin për një tjetër ndërhyrjeje në Kushtetutë. Çështja e kufizimit të imunitetit parlamentar, një iniciativë e hershme e maxhorancës, e inicuar pas ardhjes së saj në pushtet, në korrik 2005, u konkretizua në Kuvend, më 18 shtator 2012.
Pas vitesh debati, parlamenti miratoi heqjen e imunitetit të deputetëve, të gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë. Ndryshimet synonin reformimin e plotë të sistemit të imuniteteve të parashikuar në Kushtetutë, për t’i sjellë ato në përputhje me standardet ndërkombëtare në këtë fushë, për të ngritur në një stad të ri luftën ndaj korrupsionit dhe për të konsoliduar barazinë para ligjit të shtetasve shqiptarë.
Kushtetuta e Shqipërisë në 15- vjetorin e miratimit të saj përballet me premisat për ndryshime, të nxitura nga zhvillimet e vrullshme politiko-shoqërore në vend, të cilat diktojnë nevojën e ndërhyrjeve në ligjin themeltar të shtetit.
Konferenca “Kushtetuta si Instrument Qëndrueshmërie dhe Zhvillimi”
Me rastin e 15-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, u mbajt sot në Tiranë konferenca “Kushtetuta si Instrument Qëndrueshmërie dhe Zhvillimi” e organizuar nga Gjykata Kushtetuese, në bashkëpunim me Komisionin e Venecias. Konferencën e përshëndetën edhe Presidenti i Republikës, Nishani, kryetari i Kuvendit, Meta, kryeministri Rama, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, shprehu mendimin se rishikimi i kushtetutës duhet parë si një përsosje e saj. Nishani tha se “rishikimi i Kushtetutës nuk duhet kuptuar si një prekje e rregullsisë së këtij akti themeltar, si një kthim të Kushtetutës në një ligj të zakonshëm, i cili mund të modifikohet lehtësisht”. “Rishikimi i Kushtetutës duhet parë si një përsosje e saj, kur është një domosdoshmëri shoqërore” theksoi ai.
“Unë besoj sinqerisht se ne tashmë e kemi gjithë maturinë dhe pjekurinë e nevojshme për të patur qasjen e duhur ndaj kushtetutës, për një bashkëjetesë reciproke me njëra-tjetrën, me një debat politik profesional dhe ekspertizë të posaçme, që do të konsideronte ndërhyrjet nëse ato do të gjykoheshin të domosdoshme në të mirë të vendit dhe të ardhmes europiane të tij” vuri në dukje kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. “Është e vërtetë se kushtetuta nuk është tabu, si një trup i gjallë herë pas here i duhet të përshtatet me mjedisin e ri politik, ekonomik, social dhe kulturor të vendit” u shpreh ai në favor të nmodifikimeve të saj.
Ndërsa kryeministri Rama, ka shprehur vullnetin dhe bindjen e qeverisë që drejton, për të respektuar Kushtetutën dhe për të bërë çdo përpjekje në funksion të forcimit të kushtetueshmërisë. Kreu i ekzekutivit, tha se “Jemi në kushtet kur vendi përpiqet çdo ditë të integrohet në BE dhe kur kjo e fundit imponon vijimësisht një tërësi standardesh dhe sjelljesh që shpesh bien ndesh me standardet dhe sjelljet që ne kemi pjesë të vazhdimësisë sonë, pyetjet, nëse duhet ndryshuar apo jo kushtetuta, do bëhen çdo ditë e më shpesh”, ndërsa theksoi nevojën e gjithpërfshirjes së aktorëve në këtë proces.
“Bashkimi Europian, opinioni i Komisionit dhe progresi i raportit i japin shumë vëmendje kushtetutës në integrimin europian” deklaroi kryetari i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi.
Mes të tjerash Sequi kujtoi se “raporti i progresit 2013 nënvizon se legjislacioni për Gjykatën Kushtetuese duhet miratuar, BE ka ofruar asistencë teknike dhe projekte të rëndësishme si EURALIUS. Kjo reformë është pjesë e debatit aktual, duhet të adresohet me konsensus maksimal dhe optimal në bisedime”.
“Ndarja e pushtetit në Shqipëri është një kërkesë e rëndësishme në progres raportin e 2013, në këtë sens do të nënvizoja se këshillat nga përfaqësuesit e BE -së në këtë eveniment janë instrumenti më i mirë për të mbështetur sistemin kushtetues në Shqipëri sipas standardeve europiane”, tha Sequi.