in

Falimenton Belle Air. Nga 25 nëntori pezullon të gjitha fluturimet

Belle Air pezullon njëherazi e pa afat të gjitha fluturimet e saj. Duke lënë më 24 e 25 nëntor qindra pasagjerë nëpër aeroporte e akoma më shumë me biletën në xhep e me pasigurinë e udhëtimit për festat e fundvitit

Të dielën më 24 nëntor, kompania shqiptare Belle Air ka lajmëruar se pezullon të gjitha fluturimet e saj. E pezullimi është i menjëhershëm. Dhjetëra udhëtarë kanë mbetur me orë nëpër aeroportet e Italisë në pritje të një lajmi të saktë deri orët e vona, që më në fund mbërrin: “Mbas tetë vite operimesh të suksesshme nga Shqipëria drejt destinacioneve Europiane, kompania Belle Air është e detyruar të pezullojë përkohësisht fluturimet për shkak të situatës së përgjithshme ekonomike, rënies së fuqisë blerëse, reçesionit në tregjet kryesore ku operon, si edhe nga bllokimi prej më se 18 ditësh i të gjitha llogarive bankare të saj. Kjo situatë na vendos përpara pamundësisë për të vazhduar operimet. Kompania do të rinisë një proçes ristrukturimi gjatë kësaj periudhe për t’u rikthyer së shpejti me shërbime dhe çmime më të lira në tregun shqiptar”.

Nuk është herë e parë që udhëtarët e Belle Air përballen me të papritura të hidhura. Kompania shpesh ka pasur probleme overbooking-u, vonesa e ndërrime oraresh të paparalajmëruara, pezullime të papritura fluturimesh. Por këtë radhë, pezullimi është i plotë. Nëse të dielën janë kryer disa fluturime (Tiranë-Romë, për shembull, është bërë me dy orë vonesë) nga sot në mëngjes nuk është ngritur në fluturim asnjë avion i kompanisë.

Para pyetjeve “Pse u janë bllokuar llogaritë? Mos vallë Belle Air nuk ka paguar taksat rregullisht gjatë këtyre tetë vjetëve “operimesh të suksesshme”?” kush ka një biletë Belle Air në xhep shtron një tjetër: “Kush më rimburson biletën e blerë, dëmin e shkaktuar?”.

“Të dielën kam pritur babanë në Fiumicino për orë të tëra. Nga Rinasi nuk njoftonin asgjë të saktë por veç shtynin herë pas here orarin. Më në fund erdhi. Se si do të kthehet kjo është tjetër histori. – thotë për shqiptariiitalisë.com Albana që jeton në Romë – Për më tepër, kam blerë edhe tri bileta vajtje ardhje për Krishtlindje. Një tufë me para që nuk di nëse do të mi kthejë kush, apo nëse do të kem mundësi ta bëj atë udhëtim për festa”.  Kishte në plan të kalonte pushimet e fundvitit në Shqipëri, bashkë me të shoqin e të bijën. Ka blerë biletat prej dy muajsh për t’i paguar sa më lirë e ka shpenzuar rreth 800 euro. E si ajo, janë të shumtë ata që kanë një biletë Belle Air në xhep.

Në komunikatën e saj Belle Air sqaron “Me ndihmën e kompanisë Italiane Blue Panorama, ofrojmë mundësinë e mbrojtjes nëpërmjet blerjes së biletës me një çmim tarife mbrojtjeje të gjithë pasagjerëve me bileta Belle Air, duke filluar nga 25.11.2013 nën markën Low Cost Blu Express të kompanisë Blue Panorama Airlines nga Tirana drejt Italisë dhe anasjelltas, ofertë që varet nga sasia e vendeve të mbetura në shitje dhe destinacioni i përzgjedhur. Të gjithë klientët Belle Air dhe kushdo që dëshiron të blejë një biletë nga Tirana drejt Bergamos (Orio Al Serio), Bolonjës, Milano Malpensa, Romë Fiumicino, Pizës, Venecias dhe Veronës dhe anasjelltas, mund të telefonojnë në qendrën e kontaktit Blue Express të Blue Panoroma Airlines +39 06 959 86666 ose të vizitojnë faqet web: www.blu-express.com, www.blue-panorama.com. Të gjithë pasagjerët që duan të ndjekin proccedurën e ‘mbrojtjes’ janë të lutur të kontaktojnë numrin +355.42.390.111″.

Në fakt, kompania italiane Blue Panorama, nga mëngjesi i 25 nëntorit ka shtuar mes destinacioneve të saj edhe Tiranën, dhe vetëm për nisjet   nga aeroportet italiane që përmenden në komunikatën e Belle Air. Çmimet duken të leverdishme por sidoqoftë flitet gjithnjë për një biletë të re, nuk jepet asnjë mundësi përdorimi e biletës Belle Air. Dhe nga asnjëri prej shtatë aeroporteve italiane drejt Tiranës nuk ka udhëtime Blu-Express të përditshme.

Përpiqemi të marrim ndonjë informacion nga Blu Express, por kur provojmë të telefonojmë në numrin telefonik të dhënë nga Belle Air, kuptojmë që nuk ekziston. Kërkojmë në faqet e Blu-Express e gjejmë atë të vërtetin: +39.06.989.56666, por ky del vazhdimisht i zënë.

E të tjerët? Kush ka një biletë për o nga Trieste, Pescara, Ancona, Bari, Firence, Forlì etj. ç’duhet të bëjë, a mund të ketë mbrapsht paratë? Belle Air thotë: “Të gjithë pasagjerët qe kanë prerë bileta nëpermjet kartës së kreditit dhe që kerkojnë rimbursimin e biletave, duhet të kontaktojnë me bankat që kanë lëshuar këto karta krediti dhe të paraqesin kërkesën së bashku me referencat e biletës. Per të vazhduar proçedura të tjera rimbursimesh Ju lutemi kontaktoni në +355.42.390.390”.

Provojmë edhe dy numrat shqiptarë të vënë në dispozicion nga Belle Air. Heshtje e plotë.

Keti Biçoku

Lexo edhe:
Belle Air ka vazhduar të shesë bileta edhe pas deklarimit të falimentimit
Lajmi i pezullimit të fluturimeve në Itali

Ja si paraqitet sot tabela e nisjeve në aeroportin e Rinasit me të gjitha fluturimet Belle Air të anuluara:

 

Mbyllet konsullata italiane në Shkodër

Belle Air ka vazhduar të shesë bileta edhe pas deklarimit të falimentimit