in

Torino. Nisin grevën e urisë punëtorët që protestojnë mbi vinç

Prej të hënës disa punëtorë të tij protestojnë për të pasur paratë e punës së tyre nga një kompani për të cilën kanë punuar vitet e fundit. Nuk u jepet një rrugëzgjidhje, ndaj vendosin të nisin edhe grevën e urisë

Torino, 29 nëntor 2013 – Sipërmarrësi shqiptar Lavdosh Rrapaj dhe katër punëtorët e tij, prej të cilëve tre shqiptarë dhe një italian janë ngujuar prej ditës së hënë, 25 nëntor 2013, majë një vinçi në rrugën Cigna në Torino.  Ata protestojnë për pagesat e munguara nga ana e një kompanie kontraktore italiane, për të cilën kanë punuar gjatë periudhës 2011 – 2013. Kompania italiane i detyrohet sipërmarrësit shqiptar dhe bashkëpunëtorëve të tij një shumë të konsiderueshme.

Mospagimi i këtyre parave ka sjellë si pasojë bllokimin e pagave dhe sigurimeve shoqërore dhe rrezikon të shkaktojë falimentimin e firmës së vogël nënkontraktore. Pasi kanë provuar pa sukses ta zgjidhin mosmarrëveshjen me rrugë të ndryshme ligjore, sipërmarrësi dhe punëtorët e tij kanë vendosur të kryejnë gjestin ekstrem të grevës së vazhdueshme majë vinçit, me qëllim sensibilizimin e opinionit publik dhe autoriteteve vendore ndaj padrejtësisë që pohojnë se po u bëhet.

Protesta e tyre ka tërhequr menjëherë vëmendjen e mediave dhe autoriteteve vendore, të cilat kanë shprehur gatishmërinë të ndërhyjnë për zgjidhjen e situatës. Ndërkaq, protestuesit nuk pranojnë të zbresin nga vinçi pa marrë garanci të plota për shlyerjen e detyrimeve nga kompania kontraktuese.

Ata kanë kryer një protestë të ngjashme në muajin gusht të këtij viti, që u mbyll shpejt, me ndërmjetësimin e forcave të policisë, përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje me kompaninë kontraktuese. Pala tjetër, ama, nuk e respektoi marrëveshjen, duke i detyruar punëtorët t’i rikthehen grevës.

Mungesa e një përgjigjeje përfundimtare i ka shtyrë ata ta përshkallëzojnë protestën duke hyrë nga sot edhe në grevë urie. Temperaturat e ulëta, nën zero gjatë orëve të natës, si edhe lartësia e madhe e vinçit, të ndërthurura me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore për shkak të grevës së urisë do ta rrisin ndjeshëm nivelin e rrezikut për shëndetin dhe jetën e protestuesve. Vinçi ku ata ndodhen të ngujuar qëndron vazhdimisht i rrethuar nga autoambulancat, forcat e policisë dhe të zjarrfikësve.  

Sektori i ndërtimit në provincën e Torinos ka hyrë në krizë të ndjeshme duke filluar nga përfundimi i Lojeravë Olimpike Dimërore të vitit 2006 që u zhvilluan në këtë qytet. Përtej rënies së përgjithshme të investimeve në këtë sektor, kompanitë vuajnë nga vonesat në pagesa dhe detyrimet e pashlyera.

Kriza ka prekur thellë edhe sipërmarrjet me titullar shqiptar që veprojnë në këtë sektor. Sipas të dhënave të Dhomës së Tregtisë së Torinos, numri i sipërmarrjeve të shqiptarevë në këtë provincë ishte 1.323 në vitin 2012. Nga këto 776, ose rreth 60% veprojnë pikërisht në fushën e ndërtimit, duke e shndërruar këtë sektor në fushën kryesore të punësimit dhe të të ardhurave për punonjësit dhe familjet e diasporës shqiptare.

Benko Gjata, Centro di Cultura Albanese

Festa e Pavarësisë mes shqiptarëve të Astit

Ho la carta di soggiorno, perché devo aggiornarla?