Shqipëria kërkon të tërheqë sa më shumë sipërmarrës italianë të investojnë në Shqipëri, duke studiuar për ta kushte të favorshme. Rama: “Problemet me paparashikueshmërinë e normave me sistemin tonë, problemet me pronësinë, me administratën, me korrupsionin, me gjykatat, e kështu me radhë, kanë frenuar investimet. Jam i bindur që me vullnetin e mirë, por edhe me idetë e qarta dhe propozime të qarta, jo gjithçka, por shumë prej këtyre gjërave mund të kapërcehen”
Tiranë, 5 dhjetor 2013 – “Sipërmarrësit janë krijuesit e vendeve të punës, janë krijuesit e mirëqenies dhe të pasurisë në këtë vend, ndaj duhet t’i vendosim në piedestal, si gjithë shembujt e mirë të shoqërisë”. Kështu, u shpreh të mërkurën kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me sipërmarrës e investitorë italianë në Shqipëri.
Kryeministri i informoi mbi një nismë të re të qeverisë që konsiston në lehtësimin e situatave për sipërmarrësit që punojnë në Shqipëri, por dhe për ata që duan të vijnë të investojnë në vendin tonë.
“Kemi krijuar një grup deputetësh, të cilët kanë detyrimin, përgjegjësinë dhe dëshirën të marrin pjesë personalisht në këtë nismë, duke shkuar në Itali, të flasin dhe prezantojnë Shqipërinë, mundësitë që ne ofrojmë. Ata do të dëgjojnë sipërmarrësit italianë dhe të krijojnë një urë mes sipërmarrësve italianë, qeverisë dhe institucioneve shqiptare” tha kryeministri. “Nuk është një grup i zgjedhur rastësisht, por janë persona të lidhur në një mënyrë, apo në një tjetër më Italinë, falë historisë së tyre, kulturës, por edhe një grup personash që vijnë qoftë nga bota e sipërmarrjes e biznesit, qoftë nga bota akademike dhe që mund të lidhin në mënyrë të përsosur këto dy botë dhe të paraqesin propozime të rëndësishme në nivel legjislativ edhe në krijimin e kushteve për të mbrojtur nismat dhe projektet që mund të paraqiten” ka sqaruar Rama.
Ndonëse strukturat institucionale janë për t’u ardhur në ndihmë investitorëve, shpesh herë etapat dhe procedurat që ato kërkojnë dhe korrupsioni në brendësi të tyre shkurajojnë sipërmarrësit. “Unë di mjaftueshëm për të kuptuar pse nuk kemi sot më shumë se 1200-1300 ndërmarrje aktive në Shqipëri. Mund të kishim 20 mijë, por kemi vetëm 1200 apo 1300. Të gjithë i dinë problemet me paparashikueshmërinë e normave me sistemin tonë, në përgjithësi problemet me pronësinë, me administratën, me korrupsionin, me gjykatat, e kështu me radhë, por unë jam i bindur që me vullnetin e mirë, por edhe me idetë e qarta dhe propozime të qarta, jo gjithçka, por shumë prej këtyre gjërave mund të kapërcehen. Di edhe që problemet fillojnë që kur trokitet në derë, që kur hyhet në dogana dhe kur të trokasin në derë dhe shikon tek pragu 2 apo 3, 4 a 5 nëpunës të taksave. Sidoqoftë unë jam optimist në mënyrë të arsyeshme që ne mund t’ia dalim që të krijojmë kushte më normale dhe që të kemi një vend ku mund të investohet, jo pa probleme, por sigurisht pa tepër probleme. Kjo do të thotë sipas meje optimizëm realist. Unë jam i sigurt që me shembuj të rinj, ne mund të fillojmë një proces stabiliteti, normaliteti, në botën e ndërmarrjeve në përgjithësi, por edhe në botën e biznesit italian në mënyrë të veçantë” ka vazhduar kryeministri.
Ai ka shprehur gatishmërinë për të kuptuar, dëgjuar dhe diskutuar me sipërmarrësit zgjidhjen e problemeve të grumbulluara ndër vite në botën e biznesit. Qëllimi, sipas tij, “është përshpejtimi i kohës për zgjidhjen e problemeve të vjetra, ngritja e propozimeve të reja, krijimi i kushteve të favorshme për volumin e investimeve në Shqipëri”.
Kryeministri foli për hapat konkretë të Qeverisë në reformat ekonomike, duke nënvizuar veçanërisht thjeshtëzimin e taksimit të të ardhurave personale. Kryeministri tha se për mazhorancën është një detyrim edhe social që një mësues, një infermier një polic apo edhe dikush që punon dhe ka të ardhura mesatare të mos paguajë taksë aq sa paguan edhe Kryeministri, ministri apo deputeti.
“Ditët e ardhshme me grupin e deputetëve, me Ambasadorin, ne do të shkojmë dhe do të bëjmë vizitën e parë në Itali duke u nisur sikurse është e natyrshme nga rajoni i Pulias dhe pastaj duke u ngjitur më lart drejt rajoneve të tjera italiane për të komunikuar drejtpërdrejt me botën e sipërmarrësve, botën e biznesit italian. Në të njëjtën kohë jemi duke u përgatitur mirë për të qenë të gatshëm, që të bëjmë propozime konkrete dhe për të ofruar kushte dhe situata konkrete që mund të jenë të arritshme në mënyrë që të mund të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri pa u dashur që të kalojnë nëpërmjet të njëjtin labirint problemesh që shumë prej jush keni qenë të detyruar t’i kaloni” ka premtuar Rama.
“Shtysën për këtë nismë na e jep fakti shumë i rëndësishëm që në këtë vend ne kemi nevojë mjaft të madhe për vende të reja pune, të cilat nuk mund të krijohen nga shteti, por mund të krijohen nga bota e biznesit, nga hapja drejt botës së biznesit me nxitje të reja. Duam të eksplorojmë potenciale të sektorit të manifakturës në Itali dhe duam të përfitojmë edhe nga ajo gjendje në të cilën sektori i manifakturës, po përjeton sot në Itali, duke përfituar nga fakti që ne mund të ofrojmë kushte të favorshme dhe mund të krijojmë avantazhe për daljen e ndërmarrjeve italiane jashtë Italisë. Sigurisht duam të eksplorojmë edhe atë çka mund të bëhet në sektorin e bujqësisë, jo vetëm në fushën e prodhimit, por edhe në fushën e industrisë ushqimore. Ka një potencial të rëndësishëm në Shqipëri përsa i përket fushës së përpunimit agro-ushqimor. Ka një treg jo të ngopur me investime në prodhimin agroushqimor ashtu siç ka edhe në Itali shumë përvojë, mjaft teknologji dhe këtë e them pa dashur ta vë gishtin në plagën e askujt, e njëjta gjendje e keqe për shkak të problemeve strukturore tatimore që vendet e Bashkimit Evropian në përgjithësi edhe në Itali po përjetojnë sot” ka treguar kryeministri dy nga sektorët ku mund të tërhiqen në Shqipëri sipërmarrës italianë.
Por nuk do të kufizohemi me kaq, – ka vazhduar Rama – ka edhe fusha të tjera të rëndësishme në Itali, por për ne janë të mirëpritura edhe industritë e mëdha nëse ka nevojë nga ana e tyre ne jemi të gatshëm për t’i mirëpritur, por fokusi ynë është përqendruar tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme italiane, për të krijuar vende të reja pune edhe me një farë arsyetimi në kohë, që janë më të shpejta, më të realizueshme këto lloj investimesh”.