in

102 histori suksesi të shqiptarëve në Itali për 102 vjetorin e Pavarësisë

Gjatë mbrëmjes për festën e Pavarësisë në Milano, të organizuar nga Albania e Futuro, shpallet projekti i ri për përzgjedhjen e 102 historive të suksesit të shqiptarëve në Itali që do të prezantohen për 102-vjetorin e Pavarësisë

Gjatë mbrëmjes së festimit të 101 vjetorit të Pavarësisë në kryeqendrën e Lombardisë, Milano, të organizuar nga shoqata Albania e Futuro më 28 nëntor në Milano, Albanian Excellence në bashkëpunim me këtë shoqatë dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ATSh, shpallën më 28 nëntor,  nisjen e projektit “Italia histori suksesi 2014”.

Në këtë mbrëmje ku morën pjesë më shumë se 300 shqiptarë të cilët jetojnë dhe punojnë prej vitesh në rajonin e Lombardisë, ishin të pranishëm Presidenti i Këshillit Rajonal të Lombardisë, Raffaele Cattaneo, deputeti në parlamentin Italian, Lia Quartapelle, ambasadori i Shqipërisë në Romë, Neritan Ceka, konsullja e Shqipërisë në Milano, Luljeta Çobani.

Astrit Çela, kryetar i shoqatës Albania e Futuro, nëpunës në Dhomën e Tregtisë së Milanos, shpjegoi fillimin e bashkëpunimit me Albanian Excellence dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare që bëhet në prag të  Milano Expo 2015, një aktivitet ndërkombëtar, më i rëndësishmi në Itali i viteve të fundit. “Albanian Excellence dhe ATSh – vijoi Çela – erdhën në Milano jo vetëm për të festuar së bashku me ne 101-vjetorin e Pavarësisë kombëtare, por edhe për të shpallur një projekt të përbashkët për evidentimin e shqiptarëve të suksesshëm të Lombardisë”.

“Gjatë bisedimeve me Presidenten e Albanian Excellence, gazetaren e njohur Flora Nikolla, dhe me mbështetjen që na dha Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgoricën, ne sonte kemi një surprizë të bukur që besoj do të gjejë mbështetjen tuaj”, iu drejtua të pranishëmve Çela.  

“Jam e lumtur të shpall në ditën më të rëndësishme të shqiptarëve, këtu në Milano, qendrën e Lombardisë, fillimin e projektit “Italia-102 histori suksesi në 102 vjetorin e Pavarësisë”, që do të kurorëzohet në nëntor të vitit 2014, po këtu në Milano”, tha Presidentja e Albanian Excellence, Flora Nikolla. 

“Do të jetë një vit i mbushur plot aktivitete, – vijoi Nikolla, – Ne do të jemi së bashku me ju në çdo hap të këtij projekti dhe shpresojmë që me ndihmën dhe bashkëpunimin tuaj ne të dimë të përzgjedhim mes jush 102 histori suksesi, 102 histori dinjiteti njerëzor që ju vetë me shumë personalitet, vullnet, dëshirë dhe këmbëngulje keni ditur të arrini dhe të krijoni fizionominë e të qenit shqiptar në një vend të huaj”.  

Këtë 28 nëntor Albanian Excellence mbushi një vit jetë, të kurorëzuar me përzgjedhjen e mëse 500 histori suksesi të shqiptarëve në botë, të cilëve do t’u shtohen vitin e ardhshëm edhe 102 histori suksesi të shqiptarëve nga Gadishulli i Apenineve.

Të pranishmit mirëpritën shpalljen e këtij projekti dhe pa hezituar u shprehën se do të japin ndihmën e tyre në përzgjedhjen e shqiptarëve të cilët kanë arritur të kenë një karrierë brilante në Itali.

Roland Jaçe, kryetar i Shoqatës Tutti Insieme, me qendër në Bolonja, duke përshëndetur këtë iniciativë, tha se shoqata që ai drejton do të jetë një nga mbështetëset.

Për evidentimin e historive të suksesit nga Gadishullin Apenin do të krijohet dhe një bord i përbërë nga personalitete të fushave të ndryshme që jetojnë në Itali dhe Shqipëri.

Ky bord do të përzgjedhë historitë e suksesit “Itali 2014”, të cilat përveçse do të jenë në një libër së bashku, do të pasqyrohen edhe në faqen e internetit  të krijuar posacërisht për këtë rast.  Kjo faqe ashtu sikundër dhe libri, do të krijohet në dy gjuhë, shqip dhe italisht.    

Albanian Excellence ka në misionin e saj evidentimin e historive të suksesit të shqiptarëve në botë. Në harkun kohor të një viti, në bashkëpunim me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, kjo organizatë ka botuar vëllimin prej rreth 600 faqesh “100 histori suksesi, në 100-vjetorin e pavarësisë” si dhe librin “Berati, histori suksesi – 2013”.

Il Servizio Civile apre ai giovani stranieri. Domande entro il 16 dicembre

Rama sipërmarrësve italianë: Kushte lehtësuese për investitorët e huaj në Shqipëri