in

Corriere della Sera: Belle Air shet bileta e falimenton. Mijëra të mashtruar

Belle Air, për të cilën është përfolur se ka për pronar Lulzim Bashën, ka shitur 23 mijë bileta ndërsa para derës kishte kamionët që zbrasnin zyrat nga mobiljet. Bileta të blera për të dyja kahet nga punëtorë dhe sipërmarrës shqiptarë e italianë

Romë, 5 dhjetor 2013 – Edhe e përditshmja italiane Corriere della sera i kushton një shkrim të gazetarit Andrea Galli, falimentimit të kompanisë shqiptare Belle Air.

“Është larg qershori i shkuar kur Belle Air bënte një tufë fluturimesh mes aeroporteve italiane e Tiranës, me avionët të mbushur plot imigrantë që shkonin në atdhe që kishin udhëtimin e qëndrimin të paguar, u përfol, ng partia e qendrës së djathtë, në mënyrë që me të zbritur në tokë, ata mirënjohës e besnikë, të shkonin e të votonin. Ishin kohë të tjera, kohë zgjedhjesh parlamentare”. Kështu e nis shkrimin Gallo duke kujtuar eksperiencën shqiptare të “nxitjes” së emigrantëve për të marrë pjesë nëprocesin zgjedhor.

“Sot Belle Air ka mbyllur shpejt e shpejt zyrat e saj. E ka bërë ndërsa shiste biletat për Krishtlindje e Vitin e Ri. Sipas burimeve shqiptare – thotë Gallo – Belle Air ka shitur 23 mijë bileta ndërsa para derës kishte kamionët që zbrasnin zyrat nga mobiljet. Bileta të blera për të dyja kahet nga punëtorë dhe sipërmarrës shqiptarë e italianë”.

“Ka nga ata që pohojnë se pronari i vërtetë i Belle Air është Lulzim Basha, 39-vjeçar, kryetar i bashkisë së Tiranës dhe lideri aktual i qendrës së djathtë që u mund në zgjedhje, pavarësisht thirrjeve të votuesve nga jashtë” kujton Gallo që pranon se ky aspekt ka pak rëndësi tani që udhëtarët që kanë ngelur me biletë Belle Air në xhep kërkojnë rimbursimin,

“Belle Air garanton se do të dëmshpërblejë çdo klient pa specifikuar se kur. Por duke pasur parasysh se kompania ka taksa të prapambetura për tetë milionë euro, muaj të tërë rrogash të padhëna ish punonjësve të saj dhe borxhe të tjera që do të shtohen dalëngadalë me daljen në dritë të furnizuesve kreditorë, dëmshpërblimet duken utopi. E kush vendos të bëjë sidoqoftë udhëtimin përmes një kompanie tjetër, duhet të paguajë. Me Blue Panorama, për shembull, duke paguar edhe 60 euro të tjerë, përfshirë fëmijët”.

Belle Air shpjegon në komunikatën e saj se po pezullon “përkohësisht” fluturimet” duke ftuar “investuesit e huaj e shqiptarë të bëhen pjesë e rilindjes së kësaj historie suksesi”. “Në të vërtetë – pohon Corriere della Sera – në vend të një pauze është fjala për një lamtumirë përfundimtare”.

Për më tepër në Shqipëri mungojnë alternativat, e mbyll Corriere della Sera duke kujtuar që “kompanisë së parë shqiptare të fluturimeve, Albanian Airlines, në nëntor 2011 iu hoq licenca e fluturimeve pasi përfundoi në listën e zezë”.

Artikulli i Corriere della Sera: Biglietti venduti, compagnia fallita Beffati a migliaia dalla «Belle Air»

 

Elhaida Dani në Koncertin e Krishtlindjeve në Auditoriumin Conciliazione të Romës

Cuperlo. Nella sua rivoluzione della dignità anche integrazione e pluralismo