Lucignolo 2.0, program i kanalit televiziv Italia 1, shkon në Tiranë për të parë Universitetet, ku studentët italianë janë gjithnjë e më të shumtë në numër (video)
Romë, 9 dhjetor 2013 – Sërish Shqipëria, apo më mirë universitetet shqiptare, përfliten në Itali. Këtë radhë është emisioni televiziv Lucignolo 2.0, që duke marrë shkas nga një intervistë e fundit e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, zbret në Tiranë mes studentëve të universiteteve Kristal e Zoja e Këshillit të Mirë.
Duket sikur Tirana, qyteti i mëse 30 universiteteve është vendi ideal për të marrë një diplomë, Siç thotë anglisht një studente shqiptare: “Po të kesh paratë, këtu mund të blesh çfarë të duash”. Rasti i Bossi Jr është ai më i bujshmi: me 77 mijë euro (të Legës, apo më mirë të rimbursimit publik të partisë të të atit), pa shkelur asnjë ditë në Shqipëri u diplomua, në një kohë rekord, kur në Itali i ish dashur të jepte tri herë provimin e maturës.
Por edhe pa arritur deri në këtë pikë, kalon ideja se në Shqipëri është më e lehtë të marrësh universitetin se në Itali. “E kam pasur ëndërr të kem një diplomë universitare e erdha këtu ta marr” thotë një italian 40-vjeçar.
Në Kristal gazetari italian flet me rektorin, ish ambasadorin e Shqipërisë në Romë, Leontiev Çuçin. Faktin që italianët shkojnë në masë në Shqipëri rektori e shpjegon me faktin që atje kushton më pak, madje bëjnë edhe zbritje nga tarifat nëse paguan dy-tre vjet shkollë bashkë. Njësoj sikur shkon e blen në supermarkatë, “paguan dy e merr tre”. Çuçi nuk flet për ndonjë zbritje për merita, gjë që do të ishte mëse normale për universitetin.
Në Zojën e Këshillit të Mirë, studentët italianë e thonë hapur: “E provuam në Itali por nuk hymë dot në fakultet e prandaj erdhëm këtu. E shpjegon edhe pro-rektori i universitetit, Tritan Shehu: në Itali janë disa mijëra për disa dhjetëra vende, në Tiranë disa qindra kandidatë për 150 vende.
Kushedi si mund të ndihen të gjithë ata që diplomën universitare në Shqipëri e kanë marrë me merita. Mesazhi që kalon është: “Ke nevojë për diplomën e shkollës së lartë? Në Tiranë mund të zgjidhësh problemin tënd”.
Edhe pse gazetari Mirton Resuli kujton se nuk duhet përgjithësuar: “Është e vërtetë që ka edhe universitete me të kaluar të paimagjinueshme, për shembull, njëra lind si auto-shkollë. Por ka edhe universitete shumë të mira, që nuk duhen ngatërruar me të tjerat”.