in

Vrasja e 26-vjeçarit Ndoji në Brescia. Me paramendim apo fatkeqësi?

Me kalimin e orëve, detajet e shumta dhe kontradiktore hedhin dyshime të forta mbi faktin se vrasja nga i zoti i shtëpisë i Eduard Ndojit, shqiptari i kapur duke vjedhur ishte fatkeqësi. Mirko Franzoni e ka ndjekur për dy orë me armë në dorë dhe karabinierët nuk duken të bindur nga versioni i tij se pushka “u shkreh pa dashje”

Romë, 16 dhjetor 2013 – Jepen gjithnjë e më shumë detaje mbi vrasjen e 26 vjeçarit shqiptar Eduard Ndoji në Serle të Brescias të shtunën, më 14 dhjetor. Por versioni që jep Mirko Franzoni, 29-vjeçari që shkrehu pushkën e që tani është në burg, dhe ai që u rezulton karabinierëve nga dëshmitë apo rindërtimi i ngjarjes nga çasti i vjedhjes deri te ai i vrasjes, nuk përputhen.

Të shtunën në darkë shkon bashkë me të atin në shtëpinë e të vëllait, pasi një fqinjë i kish lajmëruar për ca lëvizje të dyshimta. E ndërsa atë e bir janë akoma në katin përdhes dy hajdutët hidhen nga dritarja e katit të sipërm.

Mirko u tregon Karabinierëve se i ndoqi, arriti të kapë njërin prej tyre e ndërsa po ziheshin, arma që mbante në dorë u shkreh duke goditur për vdekje tjetrin.

Por versioni që japin dëshmitarë të ngjarjes është ndryshe. Fillimisht Mirko Franzoni nuk ka arritur të ndalë asnjërin prej dy hajdutëve. Por duke qenë se nuk i dilte inati, me armën në krah ka nisur të kontrollojë rreth e rrotull në fshat derisa i arrin në vesh që hajdutët mund të jenë fshehur në pyllin aty pranë. Në këtë çast Franzoni mendon t’i presë buzë pyllit, ku nis rruga Castagneto, aty ku mendon se do të dalin për të marrë ndoshta makinën që duhet të kenë lënë diku pranë. Dhe vërtet ashtu ndodh: dy personat dalin e gjejnë përpara tyre Mirko Franzonin të armatosur. Ky i fundit tregon se nisi të përleshet me njërin prej tyre dhe se një plumb u shkreh papritur nga pushka. Njëri nga dy hajdutët ia mbathi, Eduard Ndoji i goditur nga plumbi në anë të majtë të gjoksit, mbeti në vend. Vetëm në këtë çast janë thirrur veç ambulancës edhe Karabinierët. Për të vrarin nuk mund të bëhej asgjë, ka vdekur duke e çuar në spital. Por askush nuk mund të verifikojë fjalët e Mirkos, ndoshta i ka qëlluar me ta parë, për të marrë hak.

Për Karabinierët, nuk është i besueshëm versioni i Franzonit: ky i fundit mund të akuzohet për vrasjen me paramendim të Ndojit. Fakti që forcat e rendit nuk janë lajmëruar menjëherë për vjedhjen dhe që për dy orë rresht Franzoni ka qenë me armën në krah në kërkim të hajdutëve nuk lënë vend për të besuar për një vrasje nga pakujdesia, aq më pak për një mbrojtje të ligjshme. 

Në fshat janë të shumtë ata që mbajnë anën e Franzonit, duke thënë që është djalë shumë i mirë e duke e justifikuar veprimin e tij me dëshpërimin e arritur për shkak të vjedhjeve të shpeshta në zonë. Sot në Facebook është hapur edhe një faqe “Vogliamo libero Mirko Franzoni” që deri tani ka rreth 300 aderime, nuk janë pak po të mendohet që fshati ka gjithsej 3.100 banorë.

Shqiptari i Italisë

(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

L’errore dell’UE se non ci accorda lo status

Pas vizitës së kryeministrit Rama në Romë