in

Hemorragji cerebrale për Pier Luigi Bersanin

I operuar dje me urgjencë, ish sekretari i P-së gjendet i shtruar në repartin e reanimacionit të spitalit Maggiore të Parmës. Mjeku: “Akoma herët për të thënë nëse ka kapërcyer gjithçka”

Romë, 6 janar 2014 – Ish sekretari i partisë demokrate italiane, Pier Luigi Bersani, u operua mbrëmë nga një hemoragji cerebrale në spitalin e Parmas. Operacioni ishte i suksesshëm dhe buletini i sotëm mjekësor flet për “fazë post-operatore pozitive, parametra të qëndrueshëm e në normë” e se Bersani ka kaluar një natë të qetë.

“Ai aktualisht ndodhet në repartin e reanimacionit dhe është shumë herët për të folur mbi dëmtime të mundshme që mund të ketë pësuar”, thotë Ermanno Giombelli, kirurgu që operoi Bersanin për rreth tre orë që siguron se “është i vetëdijshëm” e se sot ka takuar edhe familjarët.

“48 deri në 72 orët e ardhshme do të jenë thelbësore për të mësuar më shumë mbi gjendjen e tij”, shton ai.

Ish-sekretari i përgjithshëm i PD kishte dhënë dorëheqjen në prillin që kaloi, menjëherë pas zgjedhjeve legjislative në të cilat nuk arriti të krijonte një maxhorancë qeverisëse.

Ish-numri dy i partisë, Enrico Letta, u ngarkua me detyrën që të krijojë një koalicion qeverisës, duke u bashkuar me partinë e qendrës së djathtë të ish-kryeministrit italian, Silvio Berlusconi.

Bersani dje paradite ishte në shtëpi në Val Nure të provincës së Piacenzës kur ka ndier dhimbje të fortë koke të shoqëruar me të vjella. Gruaja e ka shoqëruar menjëherë në spitalin e Piacenzës ku i janë konstatuar probleme cerebrale për të cilat nevojitej ndërhyrja kirurgjikale në një strukturë më të mirë. Për këtë arsye ai është çuar në spitalin e Parmës ku i është nënshtruar një operacioni që ka zgjatur mbi tri orë.

Politikanë të të gjitha kaheve, nga Renzi e Letta te Berlusconi e Grillo, i kanë uruar atij shërim të shpejtë dhe shumë eksponentë të partisë së tij po shkojnë në Parma për të vizituar personalisht ish sekretarin e tyre.

 

Lecce. Sekuestrohet një gomone me 360 kg drogë

Shqipëri. Taksat që ndryshojnë nga 1 janari