in

Vepra penale e klandestinitetit. Grillo hap referendum rrufe në internet

Të regjistruarit në portalin e tij duhet të thonë nëse janë në favor apo kundër shfuqizimt të veprës penale të hyrjes dhe të qëndrimit ilegal në Itali. Vetëm 7 orë për të votuar online, lajmi botohet pasi votimi kish nisur. Polemika mes senatorëve të Lëvizjes 5 Yjet: “Nuk bëhet kështu!”

Romë, 13 janar 2014 – “Nesër më 14 janar do të votohet në Senat ligji mbi “depenalizimet” që përmban edhe dispozitën që shfuqizon “veprën penale të klandestinitetit”. U kërkohet të gjithë të regjistruarve të certifikuar më 30/06/2013 një mendim që do të mbahet parasysh nga Grupi parlamentar i Senatit kur të shprehet mbi “veprën penale të klandestinitetit”.

Kështu lexohet sot në www.beppegrillo.it, blogu i liderit të Lëvizjes 5 Yjet (M5S), praktikisht ka hapur “qendrat e votimit” për referendumin online të anëtarëve M5S. “Sistemi i votimit – shpjegohet – do të jetë aktiv sot nga ora 10.00 deri në orën 17.00. Rezultatet do të jepen në orën 18.00”.

Është ky akti i fundit i një polemike të lindur në gjirin e Lëvizjes 5 Yjet më 9 tetor 2013 kur një amendament i paraqitur nga përfaqësuesit M5S në komisionin e Drejtësisë në Senat futi edhe shfuqizimin e krimit të klandestinitetit në projektin e ligjit mbi dënimet alternative. Gjë që u kundërshtua ashpër të nesërmen nga lideri Beppe Grillo dhe ideologu Gianroberto Casaleggio, që folën për “gabim metode dhe përmbajtjeje”.

“4 apo 5 vetë nuk mund të marrin një vendim kaq të rëndësishëm që duhet të jetë objekt i një referendumi” shpjegoi kohë më pas Grillo, pasi takoi në Romë senatorët e tij. Dhe ja sot konsultimi mes të regjistruarve mbi veprën penale të klandestinitetit, në një hark kohe rrufe, vetëm 7 orë.

Një metodë që ngre pikëpyetje edhe mes anëtarëve të Lëvizjes. Senatori M5S Francesco Campanella denoncon në facebook se ka marrë një e-mail për të votuar vetëm në orën 10.10. madje edhe në sitin e beppegrillo.it lajmi i referendumit rezulton se është vënë në orën 10.37 të mëngjesit të sotëm.

“Historia e krimit të klandestinitetit – shkruan Campanella – u administrua nga blogu në mënyrë të diskutueshme. Demokracia e drejtpërdrejtë nuk administrohet kështu. Jeta e personave nuk është video-lojë as batutë për t’u shkruar në rrjetet sociale. Blogu i administruar në këtë mënyrë bëhet armë në duart e dikujt që është i bindur se mund të komandojë mbi 150 parlamentarë me strategji organizimi si të një ndërmarrjeje. T’ia heqim nga dora këtë pistoletë Casaleggios! M5S është fenomen tejet serioz e nuk duhet administruar në këtë mënyrë!”.

Kritik edhe senatori M5S Lorenzo Battista. “Mendoj – shkruan në profilin e tij Facebook – ka ardhur çasti t’i thuhet MJAFT administrimit të Blogut/portalit/sistemit operativ (quajeni si të doni). Ftoj autorin e këtij kushtëzimi të jashtëm të rishikojë bashkë me grupin parlamentar mënyrën e veprimit ose t’ia lërë një përfaqësie më demokratike e pjesëmarrëse administrimin e mjetit informatik/informues të Lëvizjes 5 Yjet”.

EP

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Cittadinanza. Faccio la Colf, come dimostro quanto guadagno?

Grillinët kundër Grillos. Votojnë kundër veprës penale të klandestinitetit