Në trevjetorin e ngjarjes së rëndë të 21 janarit 2011 kur katër persona u vranë nga Garda e Republikës gjatë protestave përpara Kryeministrisë, familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi: “Vrasësit janë të lirë, ata që kanë dhënë urdhrin janë në Parlament”
Rama: “Një nga sfidat më të rëndësishme të kësaj qeveria është t’i japë kuptimin e duhur fjalës drejtësi”
Berisha: “Etja për pushtet e Ramës solli 21 janarin, ngjarjen më të rëndë të 80 vjetëve të fundit”
Tiranë, 21 janar 2014 – Familjarët e viktimave të ngjarjes së rëndë të 21-Janarit, në tre vjetorin e humbjes së njerëzve të tyre të dashur kanë kërkuar drejtësi.
“Vrasja është ende e pazbardhur për aq kohë sa Prokuroria e Përgjithshme e zvarrit çështjen”, tha për ATSH-në Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës (njërit prej katër viktimave të 21 janarit). “Nuk e kuptoj pse ky institucion hesht, kur të gjitha faktet janë të filmuara dhe krimi nuk ka se pse të mos zbardhet. Nuk e kuptoj se përse nuk marrin në pyetje ish-ministrat e asaj kohe, të cilët kanë keqinformuar duke formuluar qarkoren se ishte një grusht shteti”.
Sipas Mark Nikës, Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, nuk ka zbatuar urdhrat e Prokurorisë për ndalimin e personave të caktuar përgjegjës për vrasjen e nipit tim. Vrasësit janë ende të lirë, duke iu referuar Agim Llupos dhe Ndrea Prendi, ndërsa urdhëruesit ndodhen në parlament dhe unë nuk e kuptoj se përse duhet që të gjithë të heshtin, u bënë tre vjet që askush nuk flet”.
Ai gjithashtu duke mos drejtuar gishtin tek persona konkretë, theksoi se është e padrejtë që shkaktarët e vrasjes së nipit të tij “janë të lirë me llogari bankare të shumta”, ndërsa familja e tij vuan “humbjen e djalit dhe varfëria bën punën e saj”.
“Patjetër që drejtësia duhet të thotë fjalën e saj. Ne kemi pasur shumë pretendime për këtë çështje, për deformimin e plumbit, për faktin që nuk janë pyetur personat që ishin dëshmitarë në momentin që u qëllua nipi im”, përfundoi Nika, teksa kujtoi se qytetarët janë dëshmitarët e padrejtësisë më të madhe në këtë vend dhe Kryeministri Rama është “avokati”, i tyre mbrojtës në këtë luftë për drejtësi.
Në të njëjtat tone ishin edhe familjarët e tre viktimave të tjerë, të cilët kërkojnë drejtësi dhe nuk pajtohen me faktin se familjarët e tyre nuk janë më ndërsa personat që qëlluan mbi ta janë të lirë.
Më 21 janar të vitit 2011 gjatë një proteste të opozitës së asokohe, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në afërsi të kryeministrisë mbetën të vrarë katër protestues, si dhe u plagosën shumë të tjerë.
Në atë ngjarje të rëndë katër familje hapën dyert e mortit. Familja e Aleks Nikës, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtaj. Më tej nisën deklaratat maratonë dhe hetimet e prokurorisë, të cilat sollën si konkluzion arrestimin e dy prej gardistëve, Agim Llupon dhe Ndrea Prendit, të cilët u akuzuan për vrasjen e dy prej viktimave, Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës, por pak muaj më parë u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Shkallës parë dhe nga Gjykata e Apelit, ndërsa tashmë pritet dhe vendimi i Gjykatës së Lartë.
Nga krahu tjetër hetimet janë shuar në drejtim të organizatorëve të 21 Janarit, pas amnistisë së vitit 2012, siç konfirmoi edhe vetë Kryeprokurori Adriatik Llalla.
Ndërsa vrasja e Aleks Nikës ka mbetur ende e pazbardhur dhe ende nuk ka nisur një gjykim për këtë. “Hetimi për vrasjen e Aleks Nikës është edhe pjesa më e rëndësishme, janë faktet e pazbardhura për njërën prej vrasjeve dhe veprimeve arbitrare të ushtruara nga ana e policisë kundër protestuesve. – tha dje kryeprokurori Adriatik Llalla – Siç jeni në dijeni, për zbardhjen e këtyre elementëve të hetimit ka një angazhim të plotë të Prokurorisë së Përgjithshme. Pak javë më parë janë zhvilluar analiza të detajuara në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, të cilat janë karakterizuar nga vullneti i përbashkët për të arritur në përgjegjës konkret”.
Llalla bëri të ditur se Prokuroria, krahas hetimeve të saj, ka lënë edhe detyra konkrete për strukturat e policisë gjyqësore për zbardhjen e të gjithë veprimeve antiligjore. “Duhet të theksoj se hetimi është gjithëpërfshirës. Ai përmban edhe ato pikëpyetje, të cilat kanë ndjeshmëri të lartë në publik dhe media.
Gjatë ditës së sotme Kryeministri Edi Rama përkujtoi katër viktimat e 21 Janarit, duke siguruar se kjo qeveri do i japi kuptim fjalës drejtësi.
Rama: “Drejtësia është ferr që sorollat njerëzit pa u dhënë atyre drejtësi””
Partia Socialiste përkujtoi sot përvjetorin e tretë të 21 janarit. Ceremonia është hapur me fjalën e kryeministrit Rama përpara familjarëve të viktimave të 21 janarit, në ambientet e brendshme të kryeministrisë.
Ai premtoi se një nga synimet më të mëdha dhe një nga sfidat më të rëndësishme të kësaj qeveria është t’i japë kuptimin e duhur fjalës drejtësi të cilën vetë Rama e krahasoi me një ferr që sorollat njerëzit e varfër pa u dhënë drejtësinë që meritojnë.
“Nuk u votuam për të zëvendësuar një qeveri me një tjetër, por për të ndryshuar rrënjësisht dhe mënyrën e sjelljes së qeverisë me qytetarët, për t’i dhënë kuptimin e duhur fjalës drejtësi, dhe për të luftuar që drejtësi të bëjë drejtësi, të mos blihet dhe shitet në dyert e gjykatave. Shumë gjëra kanë ndryshuar, por një nga gjërat që s`ka ndryshuar për Shqipërinë është ferri i sistemit të sotëm të drejtësisë. Është ferri ku përpëliten nënat që kërkojnë hakun e djemve të vrarë. Është ferri ku treten shpresat dhe kur përqeshet një Shqipëri e tërë përpara sprovës mes të drejtës dhe organeve të drejtësisë”, u shpreh kryeministri.
Pas këtij mesazhi, kryeministri i shoqëruar nga familjarë të viktimave dhe njerëz të tjerë që i ishin bashkuar ceremonisë përkujtimore, kanë vendosur lule në 4 pllakat përkujtimore prej bronzi të vendosura në vendet ku u vranë Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj pasditen e 21 janarit 2011.
Berisha: “Etja për pushtet e Ramës solli 21 janarin, ngjarjen më të rëndë të 80 vjetëve të fundit”
Edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka kujtuar ngjarjen e para tre vjetëve përmes një komenti në profilin e tij Facebook.
Sipas tij, shkak i “ngjarjes më të rëndë në historinë e shtetit shqiptar në 80 vitet e fundit” ishte “etja e pashuar e Edvinit për të marrë pushtetin me dhunë” ndërsa “forcat e Rendit dhe ato të Gardës së Republikës mbrojtën me vetëmohim dhe heroizëm institucionet dhe rendin kushtetues”.
Ja postimi i plotë i Berishës në Facebook:
“Të dashur miq, tre vjet me pare Edvin Kristaq Rama ndërmori sulmin e organizuar dhe të koordinuar kundër selisë se Këshillit të Ministrave per marrjen e pushtetit me dhune. Ngjarja pati, sipas Edi Ramës, si shkak “bllokun e Ilir Metes” por shkaku i vërtetë i saj ishte etja e pashuar e Edvinit për të marrë pushtetin me dhune. Me 21 janar të vitit 2011 banditë të paguar sulmuan për 5 orë me bomba molotov, gur, hunj, eksplozive, selinë e Këshillit te Ministrave.
Edi Rama komandonte sulmin nga kullat binjake duke pritur me nje megafon se do mund tu fliste shqiptarëve nga ballkoni i zyres se kryeministrit. Forcat e Rendit dhe ato të Gardës së Republikës mbrojtën me vetëmohim dhe heroizëm institucionet dhe rendin kushtetues. Në përleshjet që u zhvilluan atë ditë pati katër viktima dhe dhjetëra e dhjetëra policë, gardistë e qytetarë të plagosur. Duke shprehur edhe një herë ngushëllimet e sinqerta për viktimat, denoncoj 21 janarin si ngjarjen më të rëndë në historinë e shtetit shqiptar në 80 vitet e fundit”.