Shqiptarët janë ata që përfshihen më shpesh në aksidente rrugore në Itali. Sipas fondacionit Ania për sigurinë rrugore, ata kanë numrin më të lartë mes të huajve të aksidenteve rrugore për çdo 100 të siguruar, 13,3%. Kjo e dhënë për italianët është vetëm 7,2%. Për ta e për të huajt në përgjithësi, fondacioni Ania ka krijuar një platformë formimi në shqip e 5 gjuhë të tjera për të mësuar si t’i jepet makinës në siguri të plotë. Janë 12 leksione online në po aq qytete të ndryshme italiane
Romë, 22 janar 2014 – Dymbëdhjetë etapa përgjatë çizmes italiane, nga Milano në Palermo, për të njohur Italinë e mbi të gjitha për të mësuar si t’i jepet makinës në respekt të kodit rrugor. Me një çmim për më të mirët: mundësinë e kalimit nga teoria në praktikë, me kurs falas në pistë.
Fondacioni Ania për Sigurinë Stradale ka paraqitur më 21 janar Drive in Italy, një projekt formimi online falas kushtuar imigrantëve në timon, i realizuar me mbështetjen e ministres së Integrimit Cècile Kyenge. Projekti është në gjashtë gjuhë: italisht, shqip, anglisht, në gjuhën rumune, kineze dhe arabe.
“Objektivi i kësaj nisme – shpjegojnë nga Ania – është ofrimi i njohurive mbi rregullat rrugorë, promovimi i sjelljeve të përgjegjshme në timon dhe formimi praktik i atyre që ngasin makinën për përballimin në siguri të plotë të rreziqeve që mund të paraqiten në rrugë”.
Nisma është ndërmarrë për shkak të disa të dhënave aspak të kënaqshme mbi aksidentet rrugore të të huajve në Itali që me pak fjalë tregojnë se imigrantët në përgjithësi, dhe shqiptarët në veçanti, në proporcion bëjnë më shumë aksidente se italianët. Çdo vit rreth 900 mijë të huaj përfshihen në aksidente rrugore, dhe në vend të parë në këtë aspekt janë shqiptarët me 13,3 aksidente për 100 të siguruar. Në vend të dytë vijnë kinezët me 13,1%, egjiptianët (12,1%), marokenët (11,3%), rumunët (11,1%) dhe Tunizinët 9,4%). Ndërsa mesatarja italianë është vetëm 7,2 aksidente për 100 të siguruar.
Për të nisur kursin mjafton të ulesh përpara kompjuterit, të lidhesh me sitin http://driveinitaly.smaniadisicurezza.it e të regjistrohesh. Fjalëkalimi dhe përdoruesi që do të merren në regjistrim do të jenë të vlefshëm për të rinisur kursin në pikën ku e ke lënë. “Instruktori” është një manekin nga ata të crash test-eve, që përmes disa filmimeve të shkurtra shpjegon parimet bazë të sigurisë në timon rregullat parësorë të kodit rrugor. Leksionet janë interaktive dhe në fund ka një test që duhet të kalohet me sukses.
Kursi artikulohet në 12 leksione, dhe është si një udhëtim në poa q qytete italiane. Secili prej tyre prezantohet me një tip guide të vogël turistike:histori, vende që duhen vizituar, pjatanca tipike etj. Dhe nëse në fund i përgjigjesh saktë testit final, fiton një suvenir virtual të lidhur me qytetin e asaj etape.
Për imigrantët që do të bëjnë kursin Drive in Italy, që mund të ndiqet nga të gjithë ata që kanë një patentë të vlefshme në Itali, janë vënë në dispozicion njëmijë kurse dhënieje makine të sigurtë në pistat e Sele-s në Battipaglia (SA), të Vallelunga-s në Campagnano di Roma dhe të MWC Marco Simoncelli në Misano Adriatico (RN). Do t’i fitojnë ata qëkanë përfunduar kursin online Drive in Italy me më shumë pikëqoftë në testet e çdo leksioni qoftë në atë përfundimtar.
“Një pjesë e mirë e imigrantëve e ka marrë patentën në vendlindje, ku rregullat, trafiku dhe rrezikshmëria në rrugë janë shumë të ndryshme nga ato në Itali. Ndaj ata mund të kenë mangësi në formim dhe në informacione mbi mënyrën e ngarjes së makinës në Itali dhe Drive in Italia është pikërisht për të mbushur këtë boshllëk – tha presidenti i Ania-s Aldo Minucci. – Italia ka ndryshuar, tani është një vend multietnik, me 5 milionë qytetarë të rinj që ndihmojnë në rritjen e saj. Është dukuri të cilës bota e kompanive siguruese duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje”.
“Dhjetë të vdekur në ditë në aksidente rrugore janë një buletin lufte – komentoi ministrja e Integrimit Cècile Kyenge, duke nënvizuar rëndësinë e “kulturës së parandalimit” – Është ide e mirë që me këtë projekt ofrohet mundësia për njohjen edhe të bukurive të Italisë, sepse imigrantët nuk janë këtu vetëm për të punuar, por kanë zgjedhur Italinë edhe si vendin për të jetuar. Me këtë projekt rritet vetëdija e rregullave rrugore por edhe dashuria për Italinë”.
Elvio Pasca
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)