in

Çudira shqiptare. Për të qeshur e për të qarë

Nga Përparim Halili  
Disa çudira ndodhin, disa zbatohen se janë vendosur me ligj. Në qëndrimet e disave, pasi shkelin ligjin, ata shfryjnë kundër ligjit që i “ndal” dhe i detyrojnë ta zbatojnë. Në disa praktika të përditshme, individë të ngarkuar për zbatimin e ligjit, me qëndrimet e tyre bëhen edhe objekt humori me qëndrimet absurde që mbajnë. Por ka p.sh., ligje, vendime, urdhëresa që parashikojnë detyrime publike ndaj disa kategori qytetarësh, që nuk duhet të parashikon si subjekt i detyrimit ligjor. Pra, ndodhin dhe ka çudira, që nuk ka “kandar” t’i peshojë, që nuk ka as logjikë minimale t’’i pranojë. Ja tre nga këto çudira:
“Ti prite 3 orë në radhë për të paguar gjobën e makinës, shteti të priti 3 vjet për ta paguar”

Kisha lënë takim, të pija kafe më një mikun tim. U vonua! Më njoftoi në telefon, se po merrej më zgjidhjen e një problemi.

Kur u takuam, më tha: – Të dola nga fjala se u vonova te policia e qarkullimit rrugor, te pagesa e gjobës së makinës. Më bllokuan makinën, ngaqë nuk kisha paguar një gjobë. Plot 3 orë prita në radhë për të paguar gjobën. Na çmendi ky ministri me këto urdhrat e reja që ka nxjerrë.

E pyeta: – Po përse nuk e ke paguar gjobën në kohën kur ta kanë vendosur?  

Eh, – më tha ai, – nga mukajeti, punë neglizhence jo sot, jo nesër, e kështu kaluan 3 vjet pa e paguar dhe tani u detyrova të qëndroj 3 orë në radhë te sporteli, se kishte shumë njerëz.

Dhe gjithë nervozizëm, nisi të shfrynte: – Kjo polici nuk është fare në rregull nga trutë e kokës, i lodh, i vonon e i streson qytetarët, duke pritur nga 3 orë në radhë.

I thashë: – S’ke përse shfryn. Në rregull nga trutë e kokës nuk je ti e jo shteti, sepse ti prite 3 orë në radhë për të paguar gjobën, ndërsa shteti të ka pritur ty 3 vjet për ta paguar dhe ti nuk e paguaje. Ti, unë, tjetri, gjithë të gjobiturit që kanë shkelur ligjin e nuk kanë paguar gjobat e detyruan shtetin të nxjerr këtë rregull!  

Polici më tha: “Zbuloje hajdutin ti, ta arrestoj unë”

Pak ditë më parë, një komshiut tim i vodhën motorin përpara pallatit. Më takoi e më tha: – Dua të bësh një shkrim për policinë, sidomos për rastin e vjedhjes së motorit tim, mbasi policia tallet me ne. I kërkova të më shpjegonte, se ç’lidhje kishte vjedhja e motorit të tij, me policinë. Komshiu nisi të më shpjegonte lidhjen e policisë me vjedhjen e motorit.

Më tha: – Kur konstatova që më kishin vjedhur motorin, shkova në komisariatin e policisë për të bërë denoncimin. Atje më thanë, të takoja inspektorin e zonës ku më ishte vjedhur motori dhe më dhanë numrin e tij të telefonit. I telefonova. Më tha të takoheshim pas tre ditësh, mbasi sipas tij, kishte “ca punë urgjente” më të rëndësishme se motori im. Pas tre ditësh, i telefonova përsëri. Më tha, të takoheshim pas dy ditësh, mbasi sipas tij, ishte “në seminar me të huaj”. Pas dy ditësh, u takova më inspektorin. I shpjegova gjithçka. Mbajti shënime dhe iku, duke më thënë se do ta zbulonte hajdutin. Pas 10 ditësh i telefonova përsëri. Më tha se nuk e kishte zbuluar akoma hajdutin, por t’i bëja një telefonatë pas 6 ditësh. I telefonova pas gjashtë ditësh. Më tha kështu: – Ne nuk po e zbulojmë dot kush ta ka vjedhur motorin, por mundohu ta zbulosh ti dhe më njofto, se e arrestoj unë!  

Ligji: Të verbërit paguajnë… taksë televizori!

Tre ditë më parë, në një nga sportelet e CEZ, atje ku paguhen faturat e energjisë elektrike, plasi debati mes një qytetari dhe punonjëses së arkës. Qytetari kundërshtonte të paguante taksën për televizorin, që siç dihet përfshihet brenda faturës së CEZ dhe vilet me detyrim, nëpërmjet CEZ. Sportelistja i thonte, se ishte ligj pagesa e taksës së televizorit prej 1200 lekësh plus 20% të saj tatim TVSH prej 240 lekësh, gjithsej 1440 lekë të reja në muaj. Por qytetari kundërshtonte të paguante. Qytetari i thonte: – Unë nuk e shikoj televizorin, përse ta paguaj këtë taksë? Arkëtarja e CEZ, i thoshte: – E shikon, s’e shikon televizorin, mua nuk më intereson, unë respektoj ligjin dhe ligji thotë që ti të paguash taksën e televizorit.

Nga debatet mes tyre, mësuam se ajo faturë i përkiste një konsumatori të verbër. Sipas ligjit që thoshte punonjësja e CEZ, ai detyrohej ta paguante këtë taksë. Dhe ky fakt, që e konsiderojmë absurd, prej disa vitesh po ndodh realisht. Këtë taksë e paguajnë edhe ata persona me aftësi të kufizuara që janë të verbër, që për shkak të paaftësisë nuk e shikojnë dot televizorin. Madje siç mësuam, taksën për televizorin e paguajnë edhe personat që nuk dëgjojnë.

Pra, janë dy kategori që paguajnë, për një shërbim që nuk mund ta marrin për shkak të paaftësisë së tyre. Por sipas ligjit, prej disa vitesh e paguajnë taksën, sepse kështu e përcakton ligji. Personat e verbër p.sh., e paguajnë taksën 1440 lekë të reja në muaj edhe pse nuk e shikojnë televizorin si figurë, por e dëgjojnë atë vetëm si… radio. Ndërsa personat që nuk dëgjojnë zërin e televizorit (TVSH) e shikojnë atë vetëm si… figurë (si pantonimë), por detyrohen ta paguajnë taksën. Këtë pagesë e detyron ligji. A ka brenda logjikë normale ky detyrim ligjor?!

Botuar në TemA

Drogë dhe prostitucion. 30 arrestime në Itali, Shqipëri, Greqi e Rumani

Testi i italishtes për kartën e qëndrimit. Kush duhet ta bëjë?