Ministri i Brendshëm, ai i Punës dhe ministrja e Punëve të Jashtme kanë rolet kyçe për politikat dedikuar të huajve në Itali. Zhduket ministria e Integrimit.
Romë, 22 shkurt 2014 – Mes eksponentëve të qeverisë së re që do të udhëhiqet nga Matteo Renzi, çështjet e imigracionit do të administrohen kryesisht nga Angelino Alfano, Giuliano Poletti dhe Federica Mogherini.
Angelino Alfano, 44 vjeç, është rikonfirmuar ministër i Brendshëm por ka humbur postin e zëvendës kryeministrit që mbante në qeverinë Letta. Ish sekretari i Popullit të Lirive, delfini i Berlusconit, u përplas keq me babanë e tij politik (kur ky i fundit vendosi t’i hiqte votëbesimin qeverisë Letta), themeloi dhe drejton forcën Nuovo Centrodestra, parti që edhe pse ka pak parlamentarë është jetike për mazhorancën që duhet të mbajë në këmbë qeverinë Renzi.
Ministria e Brendshme, nga e cila varet Policia e Shtetit, është në linjë të parë në luftën kundër imigracionit të parregullt, administron riatdhesimet dhe Qendrat e Identifikimit dhe të Dëbimit (CIE). Administron gjithashtu edhe thuajse të gjithë burokracinë e imigracionit të rregullt, nga lëshimi e ripërtëritja e lejeve të qëndrimit deri te bashkimet familjare e kërkesat për shtetësinë. Është e pranishme në territor përmes Kuesturave dhe Sporteleve Unike për Imigracionin.
Në ministrinë e Jashtme, në vend të Emma Bonino, vjen Federica Mogherini, 41 vjeçe. Deputete e Partisë Demokratike, anëtare e komisioneve të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes, dhjetorin e shkuar u thirr nga Matteo Renzi në sekretarinë kombëtare të PD-së si përgjegjëse për Evropën dhe Marrëdhëniet ndërkombëtare. Në të shkuarën ka qenë përgjegjëse e marrëdhënieve ndërkombëtar e Demokratëve të Majtë (DS), një nga partitë që më pas formuan PD.
Ministria e Jashtme, që ka selinë e saj në Farnesina, ka për detyrë të lidhë dhe të administrojë marrëdhëniet me vendlindjet e imigrantëve dhe përmes rrjetit të konsullatave është front office e Italisë në botë, gjë që e di kushdo që kërkon një vizë hyrjeje për në këtë Vend. Me projektet e kooperimit ndërkombëtar bashkëpunon me Vendet në zhvillim.
Ministri i ri i Punës është “tekniku” Giuliano Poletti, 53 vjeç. Nga viti 2002 është president kombëtar i Lega Coop, nga viti i shkuar udhëheq Aleancën e Kooperativave, që bashkon siglat më të rëndësishme të kooperimit italian. Ekspert agrar, ka punuar për shumë kohë si teknik agrar. Në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë ka qenë përgjegjës komunal dhe sekretar federal i Partisë Komuniste Italiane në Imola.
Ministria e Punës është ajo që programon hyrjet për punë në Itali me anë të dekreteve të flukseve në bazë të nevojave të sipërmarrjeve dhe familjeve. Këto vitet e fundit, me krizën e thellë ekonomike, ka zgjedhur të frenojë ardhjet e reja, edhe për të mbrojtur imigrantët e shumtë që kanë humbur vendin e punës. Administron edhe ndërhyrjet, fondet dhe projektet kushtuar integrimit dhe është ministria e referimit për pritjen e të miturve të huaj të pashoqëruar.
Në kabinetin e ri qeveritar të prezantuar në Presidencën e Republikës nga kryeministri Matteo Renzi mungon një ministër Integrimi. Posti i mbuluar në qeverinë Monti nga Andrea Riccardi dhe në qeverinë Letta nga Cècile Kyenge nuk ekziston më. Nëse nuk ngrihet apostafat një nënsekretari e posaçme në brendësi të kryeministrisë, kompetencat do të shpërndahen mes ministrive ekzistuese.
Elvio Pasca
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)