in

Flukset e ardhjeve. Forlani: “Ja ç’duhet ndryshuar”

Intervistë me drejtorin e ri të Zyrës së Imigracionit në ministrinë e Punës. “Mendojmë më parë për ata që janë në Itali e kanë humbur vendin e punës”

Të përmirësohet programmi i flukseve të hyrjeve, me kuota që t’u përgjigjen më në fund nevojave reale të ndërmarrjeve dhe familjeve, dhe të krijohet një sistem i efektshëm takimi mes kërkesës dhe ofertës së punës, në Itali apo drejtpërdrejt në vendlindje.
Këta janë objektivat më urgjentë të drejtorisë së imigracionit të ministrisë së Punës dhe të Politikave Sociale, të drejtuar nga Natale Forlani. “Ingredientët për t’ia arritur qëllimit ekzistojnë, edhe pa modifikime normative, mjafton t’i bashkojmë e t’i vëmë në funksionim” siguron drejtori i ri në intervistën dhënë stranieriinitalia.it.

Natale ForlaniSi mund të përmirësohet programimi i flukseve?
Natale Forlani: Në radhë të parë, duhet thënë që kemi të dhëna të sakta demografike: nga sot eri në vitin 2020 Italia do të humbasë 4 milionë persona në moshë pune, që nuk do të mund të zëvendësohen të gjithë nga të papunët italianë, për shkak të lëvizshmërisë së ulët shoqërore dhe territoriale. Por nevojitet të realizohet një mekanizëm për të zbuluar nevojën reale sasiore e cilësore, edhe duke administruar sa më mirë komunikimet e detyrueshme, që veç të tjerash në informojnë me saktësi për punonjësit që humbin vendin e punës. 

Të huajt që kanë humbur vendin e punës për shkak të krizës ekonomike janë të shumtë, apo jo?
E vërtetë, dhe pikërisht këta punonjës duhen rifutur në tregun e punës me një kanal të privilegjuar, para se t’u drejtohemi flukseve të ardhjeve të reja nga jashtë. Përndryshe, rrezikojmë të shkapërdajmë një kapital njerëzor dhe profesional dhe të ushqejmë punën në të zezë, duke rritur numrin e personave të gatshëm të punojnë për më pak para e me më pak të drejta, edhe në dëm të të rregulltve.

Është ky arsyetimi që deri më sot ka bllokuar shpalljen e një dekreti të ri fluksesh?
Tani për tani nuk janë të nevojshme kuota të reja hyrjesh të papërcaktuara (nga ana profesionale) – flukset e ardhshme do të jenë për punonjës të kualifikuar, – por më parë duhet të nxirren nga papunësia të huajt që jetojnë në Itali. Ndërkaq duhet edhe të lidhim marrëveshje me vende të tjera, duke mbajtur parasysh që flukset drejt Italisë po ndryshojnë, pakësohen ato evropiane dhe shtohen, për shembull, ato nga Azia.

Por janë edhe qindra mijëra të parregullt që u përjashtuar nga sanatoria e fundit që parashikohej vetëm për bashkëpunëtorë familjarë…
Kufizimi i legalizimit vetëm për punonjësit shtëpiakë ishte një zgjedhje politike. Tani ne duhet të përpiqemi të monitorojmë situatën të atyre që kanë humbur punën dhe të mbyllim sa më shpejt praktikat e legalizimit të fundit, duke kapërcyer gjendjet kritike që akoma ekzistojnë në disa provinca.

Sot, kush ka humbur punën ka vetëm gjashtë muaj për të gjetur një tjetër, më pas humb edhe lejen e qëndrimit. A nuk është një rregull shumë i rreptë?
Në të vërtetë ligji flet për leje qëndrimi me kohëzgjatje ‘të paktën’ gjashtëmujore për të kërkuar punë, e në këtë pikë mund të ndërhyhet, por vetëm përballë një kuadri të saktë të dukurisë dhe me kritere të caktuara. Më duket e drejtë, për shembull, që të mos kthehet në klandestin kush ka humbur vendin e punës dhe është i përfshirë në politikat aktive të punës (si ndërhyrje formimi profesional, rikualifikimi dhe orientimi). Por nuk vihet në diskutim parimi i përgjithshëm sipas të cilit mund të qëndrojë në Itali vetëm kush ka të ardhura të mjaftueshme për veten.

Cili ent mund të merret me sigurimin e pikëtakimit mes kërkesës dhe ofertës së punës dhe t’i kushtohet rifutjes në tregun e punës të të papunëve?
Krahinat, provincat, sindikatat dhe shoqatat e kategorisë përmes enteve të dyanshme, agjencive për punën, me një fjalë operatorë publikë e privatë të autorizuar për këtë tip ndërhyrjesh. Operatorët janë, duhen vënë në rrjet që sistemi të funksionojë. Të dhënat na thonë se imigrantët gjejnë akoma një vend pune kryesisht duke lajmëruar gojazi njëri-tjetrin, dhe kjo mënyrë mund të kthehet në paradhomën e punës në të zezë dhe të shfrytëzimit. Vetëm 30% e imigrantëve u drejtohet kanaleve institucionale të punësimit.

E për punën shtëpiake? Vështirë që një familje në kërkim të një bashkëpunëtoreje shtëpiake t’i drejtohet një agjencie për punën.
Puna shtëpiake ka një karakteristikë të vetën, që do të meritonte një diskutim më të gjerë dhe zgjidhje të posaçme. Është e sigurt që sot shkaqet kryesore të punës në të zezë në këtë sektor janë natyra e ndërlikuar i administrimit të këtij lloji marrëdhënieje pune dhe kostot e larta për familjet. Nevojitet një rrjet shërbimesh, ku për shembull, patronatet të mund të lehtësojnë takimin mes kërkesës dhe ofertës dhe t’u vihen në krah punonjësve dhe punëdhënësve në marrëdhënien e punës, por duhet ndërhyrë edhe nga ana fiskale në mënyrë që të zbriten nga taksat shpenzimet efektive.

“Plani për integrimin” i qeverisë mbështetet fort në formimin në vendlindje të imigrantëve. A nuk parashikohej edhe nga ligji Bossi-Fini? Çfarë nuk ka funksionuar deri më sot?
Po të konsiderojmë investimet dhe rezultatet, mund të themi që nuk ka pasur sukses. Këtu është e nevojshme ndërhyrje normative, që t’u mundësojë operimin jashtë Italisë subjekteve të autorizuara nga ligji Biagi për gjetjen e pikëtakimit mes ofertës dhe kërkesës së punës. Por, mbi të gjitha, duhet ndryshuar mënyra e formimit në vendlindje.

Si të ndryshohet?

Deri më sot arsyetimi ka qenë ky: formoj punonjësit jashtë shtetit dhe i fus në listat e punonjësve në dispozicion duke pritur që ndonjë ndërmarrje t’i thërrasë. Por kështu nuk funksionon: ndërmarrjet të thonë se ç’vende pune kanë në dispozicion kështu që të formohen persona që t’u përgjigjen nevojave konkrete, që të mësojnë edhe pak italisht e edukim qytetar dhe që, me të mbaruar kursin e formimit, e kanë një vend pune të garantuar. Ndryshe, vetëm çojmë dëm burimet dhe të vetmit që përfitojnë janë ata që organizojnë kurset e formimit.

E pas kursit të formimit profesional si veprohet, pritet dekreti i flukseve për t’i sjellë në Itali?
Plani për Integrimin propozon që këta punonjës të kualifikuar jashtë shtetit të sillen në Itali pa qenë nevoja për kuota, por edhe që t’i sjellim përmes flukseve, siç parashikon normativa në fuqi, nuk është e vështirë.

Duke parë se me sa vonesë Sportelet Unike u përgjigjen kërkesave të familjeve dhe të ndërmarrjeve, me flukset nuk është shumë e lehtë. Sa kohë mund të presë një familje apo ndërmarrje që ka nevojë për punonjës?
Pritjet e zgjatura sot janë akoma problem. Nevojitet një përforcim i veprimtarisë administrative. Por Sportelet Unike nuk mund të ngarkohen me barrën e të gjitha kontrolleve të kërkesave. Ato duhet të jenë vetëm një terminal, i mbështetur nga një rrjet i përbërë nga shoqata të kategorisë, agjenci të punës dhe qendrat për punësimin. Përndryshe ngarkesa e punës bëhet e papërballueshme”.

Elvio Pasca

Ibrahimi paraqet librin e saj të fundit në Torino

Danjel Kosma ekspozon në San Benedetto del Tronto