Karabinierët duket se e kanë identifikuar si vrasësin e mundshëm të 26-vjeçarit Zyberi brenda pak orëve nga ngjarja. Sot kanë dhënë edhe identikitin e tij dhe detaje mbi makinën me të cilën po lëviz
Romë, 20 mars 2014 – Karabinierët kanë shpallur në kërkim e kanë dhënë identikitin e vrasësit të mundshëm të Nimet Zyberit, 26-vjeçarit të vrarë në një supermerkatë të Misano Adriaticostë Riminit paraditen e 17 marsit.
Është fjalë për kamionistin Paulin Nikaj, 33 vjeç. Sipas forcave të rendit, është i armatosur e konsiderohet i rrezikshëm.
Karabinierët që tashmë dinë gjithçka për këtë person e që e kërkojnë pa sukses prej tri ditësh, sot kanë vendosur të japin edhe identikitin e tij dhe të dhënat mbi makinën me të cilën është larguar nga shtëpia (Citroen C4 blu) me shpresën e një ndihme të mundshme të popullatës, gjithnjë nëse Nikaj nuk ka dalë nga territori italian.
Karabinierët kanë përqëndruar hetimet mbi Paulin Nikajn, pak orë pas vrasjes, pasi kanë kontrolluar videon e mbikëqyrjes së supermerkatës ku ndodhi ngjarja e pas marrjes në pyetje të të shoqes së viktimës e më pas të shoqen e Nikajt.
Sipas kësaj të fundit kanë mësuar se me t’u kthyer në shtëpi pas vrasjes, Nikaj ka përshëndetur atë e dy fëmijët e tyre, ka marrë me vete pistoletën dhe ca para dhe është larguar me makinë.
Ndërkaq, dje është bërë edhe autopsia e Nimet Zyberit. Sipas mjekëve ligjorë, ai ka vdekur brenda pak sekondave. Disa plumba, të qëlluar nga një distancë e vogël, maksimumi tre metra, e kanë goditur në pjesën e sipërme të trupit, po një në veçanti e ka marrë në zemër.
Zyberi është përpjekur të mbrohet me krahë e duar ndaj breshërisë së plumbave por afërsia e vrasësit nuk i ka lënë asnjë mundësi shpëtimi.
Në trupin e Zyberit janë gjetur vetëm dy plumba, të tjerët e kanë shpuar tejpërtej, duke i hyrë në gjoks e duke i dalë nga kurrizi.
Lexo edhe: Rimini. 7 plumba në kraharor i marrin jetën 26-vjeçarit Zyberi
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)