in

Katër i Radës. Arta Ngucaj e Arben Beqiraj: “Na ndihmoni të ngremë një Muze në Vlorë”

Dy artistët vlonjatë, prej vitesh në Bolzano, e kanë kthyer në mision të tyrin ngritjen në Vlorë të një Muzeu në kujtim të viktimave të Katër i Radës. Në dy vjet përpjekje për realizimin e këtij projekti nuk kanë mundur t’ia dalin, me gjithë mbështetjen e Shoqatës së familjarëve të viktimave, kanë hasur veshin e shurdhër të administratorëve të qytetit dhe të qeverisë së Shqipërisë. Me një letër të hapur kërkojnë ndihmë publikisht

Në 17 vjetorin e tragjedisë së Katër i Radës, me shpresën që t’u vijmë sadopak në ndihmë, botojmë letrën e artistëve shqiptarë në Itali, Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj që kërkojnë publikisht ndihmë për realizimin e përpjekjeve të tyre për ngritjen në Vlorë të një Muzeu në kujtim të Katër i Radës, të viktimave të saj dhe të të gjithë atyre që lanë jetën në kërkim të një të ardhmeje.

Në 15 vjetorin e tragjedisë, kur në Otranto u ngrit nga skulptori grek Costas Varotsos një monument me gjysmën e sipërme të Katër i Radës dhe u paraqitën edhe disa vepra të tjera nga tetë artistë të ndryshëm, Ngucaj e Beqiraj ekspozuan një instalacion për të cilën zgjodhën si titull një varg të Dantes nga Kanti XXVI i Ferrit “Infin che ‘l mar fu sovra noi richiuso”. Vepra e tyre konsistonte në një seri panelesh me fotot e atyre që në tragjedinë e Katër i Radës humbën jetën: të gjitha fotot kanë një datë vdekjeje dhe data të ndryshme lindjeje.

Janë pikërisht këta artistë që po atë vit bënë çmos për të çuar në Vlorë të paktën një copë të pjesës tjetër të anijes, busullën, me idenë e ngritjes së një muzeu

Me gjithë mbështetjen e shoqatës së familjarëve të viktimave, nuk kanë mundur të realizojnë projektin e tyre për mungesë sensibiliteti e mbështetjeje nga administrata e Vlorës apo qeveria e Shqipërisë. Në përpjekje të realizimit të këtij misioni që i kanë vënë vetes, sot në 17 vjetorin e tragjedisë i kanë nisur shtypit këtë letër të shoqëruar nga projekt-ideja e Muzeut:

Të nderuar bashkëqytetarë

Jemi Arta dhe Beni, dy artistët vlonjatë që në 2011 çuam në Vlorë dy pjesë të vogla të anijes fatkeqe Katër i Radës nga Otranto me projekt-idenë e ngritjes së një Muzeu në kujtim të viktimave të saj.

Sot shoqata e Familjarëve të Viktimave të Otrantos dhe dashamirës përkujtojnë 17-vjetorin e tragjedisë së Katër i Radës, një nga ngjarjet më të hidhura Shqiptare dhe në veçanti Vlonjate të viteve të fundit. Kjo ngjarje në atë epokë i përcillte një mesazh të errët mbarë Shqipërisë që do të thoshte “Jeni vetëm”, ashtu siç janë vetëm sot  të gjithë familiarët dhe shoqata e tyre, prej 17 vitesh në luftë për drejtësi e sidomos për të mbajtur gjallë kujtimin e tragjedisë që nuk u përket vetëm atyre por edhe Vlorës e mbarë Shqipërisë. Një luftë për drejtesi e bërë individualisht kundrejt një shteti të madh siç është Italia, që të sjell ndër mend Davidin kundër Golisë.

Është emblematike dhe shpresëdhënëse kokëfortësia e zonjës Pushime Çala dhe e shoqatës së saj në pretendimin e drejtësisë, sepse mund t’i “vlejë” si shembull një vendi ku tradita e re 25 vjeçare e demokracisë nuk ka dhënë shumë frute në fushën e drejtësisë.

Ju shkruajmë për të rinovuar dëshirën dhe për t’ju parashtruar projektin tonë për ndërtimin e një Muzeu të denjë në kujtim të tragjedisë së Katër i Radës. Ky muze nuk do të jetë thjesht nje ndërtesë për të përkujtuar dhjetëra personat që humbën jetën por është përpjekja e shkrimit të një dokumenti që të na kujtojë të vërtetën e një epoke dhe çmimin e ëndrrës per demokraci.

Nuk është e mundur që këtë ngjarje të mund ta përkujtojmë vetëm në Otranto dhe në Bari siç bëhet deri më sot, ku nga Katër i Radës sot mbetet vetëm një fantazmë e cunguar dhe e ndarë në pjesë në qytete të ndryshme. Sot monumenti i bërë në 2011 në Otranto me gjysmën e anijes është ende anonim dhe pa një pllakë përkujtimore. Në Bari sot inaugurohet një monument tjetër me copat të tjera të anijes.

A është e mundur që një faqe e hidhur historie që i përket kujtesës sonë ta shkruajnë vetëm të tjerët sipas menyres se tyre? A është e mundur të mos kemi aq ndjeshmëri sa të mos ngremë një monument për të kujtuar në atdhe të vdekurit tanë?

Veprat e artit në të gjitha kohërat kanë qenë celebrimi i kujtesës, Italia dhe mbarë bota janë plot. Sot, për këtë përvjetor dëshirojmë t’ju njohim me projekt-idenë tonë mbi realizimin e Muzeut në kujtim të Katër i Radës në Vlorë, që deri tani nuk kemi arritur të realizojmë. Shpresojmë në ndihmën e opinionit publik dhe të klasës politike të qytetit tonë dhe të qeverisë Rama.

Me respekt
Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj

Lexo edhe:
Vetëm busulla e Katër i Radës mbërrin në Vlorë
Fotot e të mbyturve të Katër i Radës ekspozohen në Otranto

Projekt-ideja e artistëve shqiptarë Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj (Scafisti Scafati):

 

“Ha fatto sesso con un nero”. I neonazisti cacciano la pornostar

Immigrati in auto blu. “Compriamo quelle di Bossi e Fini!”