Këshilli bashkiak ka votuar heqjen e titullit “Qytetar Nderi” dhënë Benito Mussolinit në vitin 1924
Romë, 1 prill 2014 – Pas plot 90 vjetëve, Benito Mussolini nuk është më qytetar nderi i kryeqendrës së Piemontes. Kështu ka vendosur pas një debati të ndezur këshilli bashkiak i qytetit. Mussolinit, themelues i fashizmit në Itali, kryeministër e diktator i vendit nga 1922 deri në 1943, ky titull i ish akorduar me një dekret mbretëror më 11 maj 1924.
Për Michele Paolinon, kryetari i grupit të këshilltarëve të PD-së që ka paraqitur mocionin e heqjes së titullit të nderit Mussolinit, ky akt ishte “një detyrim që duhej përmbushur në respekt të identitetit antifashist të qytetit. Mussolini e shndërroi Italinë në protagoniste të Luftës II Botërore duke e renditur atë përkrah nazistëve gjermanë”.
Këshilltarët e Legës, Fabrizio Ricca e Roberto Carbonero, në shenjë proteste, kanë hapur në sallë një flamur të BRSS. Duke e konsideruar të parëndësishëm për jetën e torinezëve këtë mocion të PD-së, kanë deklaruar: “Meqë nuk po flasim për gjëra serioze e konkrete për qytetarët, kërkojmë që rrugës Bashkimi Sovjetik t’i ndërrohet emri. Të zhdukim nga qyteti edhe çdo referim ndaj ideologjisë komuniste që ka provokuar miliona të vdekur”.
Pas një ore e gjysmë debat, mocioni kaloi me 29 vota në favor të mocionit, 3 kundër (këshilltarët e Fratelli d’Italia e Forza Italia) dhe abstenimin e 5 këshilltarëve, (të Legës dhe të NCD Nuovo Centro Destra e Alfanos).
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)