in

Bashkëpunëtoret shtëpiake. Këtë vit deklarim të ardhurash edhe me modelin 730

Deri tani bashkëpunëtorët familjarë, kategori ku bëjnë pjesë figurat profesionale që italisht njihen si colf, badanti dhe baby sitter, mund të përdornin vetëm të ashtuquajturin model “UNICO”.
Modelet 730 duhen nisur brenda 31 majit përmes CAF apo profesionistëve të autorizuar, që do të përllogarisin çfarë i duhet dhënë e çfarë i duhet marrë shtetit

Romë, 2 prill 2014 – Këtë vit, për herë të parë, edhe bashkëpunëtorët familjarë (kategori ku bëjnë pjesë figurat profesionale që italisht njihen si colf, badanti dhe baby sitter) do të mund të paraqesin deklaratën e të ardhurave me modelin 730. “Dekreti i të bërit” (ligji 98/2013 “Decreto del Fare”), në fakt, u ka shtrirë këtë mundësi edhe punonjësve që nuk kanë një punëdhënës që derdh për ta një pjesë të taksave (italisht “sostituto d’imposta”).

Kush ka bashkëpunëtorë shtëpiakë, kujton me një komunikatë shoqata Assindatcolf, shoqata e kësaj kategorie punëdhënësish, nuk mund të luajë rolin e “sostituto d’imposta” dhe nuk mund t’u mbajë nga rroga bashkëpunëtorëve shtëpiakë paradhënien e tatimit IRPEF për t’ia derdhur shtetit. Ky tatim duhet llogaritur në çastin e deklarimit të të ardhurave. Deri vitin e shkuar modeli i vetëm fiskal që punonjësi shtëpiak mund të përdorte për të përmbushur detyrimin e tij fiskal ishte i ashtuquajturi “UNICO persone fisiche”.

Shoqata informon gjithashtu që nisja e modelit “730 dipendenti senza sostituto” (që shqip do të ishte “modeli 730 për punonjësit të cilëve nuk i deerdhet paraprakisht një pjesë e tatimit IRPEF nga punëdhënësit”) duhet të bëhet brenda datës 31 maj përmes CAF (qendrave të asistencës fiskale) ose profesionistëve të autorizuar.

Nëse nga deklarimi i të ardhurave rezulton një kredit, Agjencia e Tatim Taksave do të rimbursojë drejtpërdrejt punonjësin në llogarinë rrjedhëse bankare apo postare të tij (koordinatat e llogarisë jepen në deklaratën e të ardhurave). Nëse nga deklarimi del se punonjësi i detyrohet para shtetit, CAF ose profesionisti i autorizuar që ka përpiluar deklaratën do t’i dorëzojë punonjësit një model F24 me shumat që janë për t’u paguar brenda datës 16 qershor 2014.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Malattie professionali. “Stranieri poco informati, molto meno degli italiani”

Vepra penale e klandestinitetit. Parlamenti vendosi: “Të shfuqizohet”